KOMENT – ZGJEDHJE PE – Rritje e pastër e ambientalistëve, avancim i kufizuar i euroskeptikëve,

BRUKSEL, 27 maj /ATSH-AFP/ – Partitë e mëdha që dominojnë tradicionalisht Parlamentin Europian pësuan humbje të mëdha në zgjedhjet e së dielës dhe, ndërkohë që avancimi i populistëve të së djathtës ishte i kufizuar, ambientalistët dhe centristët liberalë regjistruan një progres të dukshëm.

Sipas parashikimeve të publikuara dje në mbrëmje nga Parlamenti Europian, Partia Popullore Europiane (PPE, e djathta pro-europiane) mbetet me 180 vende, kundrejt 216 aktualisht, forca e parë në sallën e parlamentit.

Një aktualizim i ardhshëm i parashikimeve pritet në orët e paradites, ndërsa shtetet anëtare vijojnë të paraqesin rezultatet zyrtare.

Me një pozitë të konsoliduar nga kjo fitore, liderët e PPE-së kërkuan menjëherë presidencën e Komisionit për liderin e tyre ose “Spitzenkandidat” sipas termit në gjuhën gjermane që përdoret shpesh për gjermanin Manfred Weber.

Social-demokratët (S&D), partia e dytë e Parlamentit pas zgjedhjeve me 150 vende (kundrejt 185) e kanë lënë mënjanë këtë kërkesë duke parashikuar negociata të gjata në garën tashmë të hapur për vendet kyçe në institucionet europiane.

Nëse PPE-ja dhe social-demokratët (S&D) mbeten dy partitë kryesore të Parlamentit Europian, ata humbin kapacitetin e tyre për të siguruar vetëm ata të dy një shumicë për të miratuar tekstet legjislative.

Fundi i një epoke

Ata duhet të formojnë koalicion me ambientalistët, të cilët shënuan avancim nga 52 në 70 vende, në sajë të rezultateve të mira në Gjermani dhe Francë dhe Liberalët (ALDE) me partinë e presidentit francez, Emmanuel Macron, të cilët sigurojnë 107 vende kundrejt 69 aktualisht.

Francezi, një nga liderët më pro tezës për thellimin e ndërtimit evropian, humbi për shumë pak të dielën duelin më të rëndësishëm të këtyre zgjedhjeve përballë partisë së ekstremit të djathtë të Marine le Pen, ”Grumbullimi Kombëtar”, me 22,41% kundrejt 23,31 për RN sipas rezultateve përfundimtare ose me një diferencë prej 0,9 pikë./ /v.b/ a.jor.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.