Berat, restaurohet banesa Dollani, monument kulture i kategorisë I

TIRANË, 27 maj/ATSH/- Një vëmendje e veçantë po i kushtohet gjithnjë e më shumë restaurimit të banesave monument kulture në qytetin e Beratit.

Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe drejtoritë rajonale të Kulturës Kombëtare në të gjithë vendin, po punojnë çdo ditë në mbrojtje të trashëgimisë kulturore.

Ditët e fundit në banesën në kuadrin e punimeve të mirëmbajtjes në lagjen Kala aktualisht është duke u kryer ndërhyrja në restaurimin e fasadës së banesës së familjes Dollani, monument kulture kategoria I.

Ndërhyrja konsiston në: suvatimin e fasadës dhe trajtimin e elementëve drusorë. Këto punime po kryhen nga punonjësit e mirëmbajtjes së DRKK-Berat, të cilët do të vijojnë punën në mirëmbajtjen edhe të objekteve të tjera që gëzojnë statusin monument kulture.
Banesat beratase janë një dëshmi e vyer e diversitetit urbanistik dhe arkitektonik, karakteristikë e Beratit.

Qyteti i Beratit është një nga më të vjetrit në Shqipëri, me gjurmët e para të cilat datojnë që 2600-1800 para Krishtit. Ka edhe qeramika që nga shekulli i 7 apo 6. Banorët e Beratit janë quajtur në fillim ilirë, më pas arbër dhe në fund shqiptarë.

Zona e Kalasë ka fortifikime guri që nga gjysma e parë e shekullit të 4-t. Në kohët e lashta ai ishte i njohur si Antipatrea Berat, një qytet i fortifikuar që ka arritur t’u rezistojë legjioneve romake të së kaluarës./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.