Çuçi në “Qytetin e Peshkut” në Elbasan: Shembull frymëzues si një biznes kthehet në motor të një sektori të tërë

TIRANË, 26 maj /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, vizitoi ‘Qytetin e Peshkut’ në Elbasan, një nga investimet më të mëdha në vend në sektorin e përpunimit të peshkut dhe prodhimeve të tjera të detit. Bashkë me zv.ministrin Dhimo Kote ata panë nga afër fabrikën prej nga përpunohen qindra mijëra tonë açuge, karkaleca dhe disa lloje të tjera peshku që eksportohen në vende të ndryshme të Europës.

“Ky është një shembull i jashtëzakonshëm se si mund të kthehet një sipërmarrje private në një motor për një sektor të tërë. Nuk besoj se ka një rast të ngjashëm në Shqipëri, por mbase edhe në rajon të këtij shembulli si ‘Rozafa’. Fakti që është marrë edhe certifikata MSC, më prestigjozja për cilësinë e prodhimeve të detit, s’le vend për më tepër fjalë. Ky certifikim të bën të pranueshëm në tregjet me kërkesat më të larta në botë”, tha ministri Çuçi duke vlerësuar si një element krenarie kombëtare faktin që këto prodhime shiten në tregjet europiane me etiketën ‘Made in Albania’.

Sipërmarrësi i këtij biznesi, Gjergj Luca, e nisi aktivitetin para shumë vitesh në Tiranë, e më pas me peshkarexhat e mbledhjes së peshkut. Kur kërkesa për eksport nisi të rritej ai vendosi të zgjerohej e të zgjerohej derisa mbërriti tek investimi gjigant ‘Qyteti i Peshkut’ në Elbasan, ku janë të punësuar rreth 1500 persona. Sektori i peshkimit në Shqipëri është një nga sektorët me rritjen më të madhe vitet e fundit, kjo edhe falë politikave favorizuese të qeverisë si heqja e akcizës për naftën, heqja e TVSH-së për rrjetat dhe pajisjet e tjera që iu duhen peshkatarëve. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e ka subvencionuar kapjen e açuges me 20 lekë për kg. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.