Bujtinat pranë Tomorit mirëpresin turistët e huaj me gatime tradicionale dhe guida

TIRANË, 25 maj /ATSH/ – Bujtinat pranë Tomorit, përveç mikpritjes pranë ambienteve të tyre, po bëjnë edhe guidën drejt vendeve më të bukura të këtij mali.

Një nga bujtinat e kësaj zone ka mirëpritur gjatë kësaj fundjave një grup turistësh nga Hungaria, të cilët i shoqëroi drejt ujëvarës së Sotirës. Turistët shijuan pamjen madhështore të këtij peizazhi, natyrën e virgjër si dhe gatimet tradicionale të zonës.

Investimet e qeverisë për krijimin dhe fuqizimin e agrobizneseve në zonat turistike, po fillojnë të japin frytet e veta.

Ujëvara e Sotirës ndodhet rrëzë malit të Tomorit dhe u ka shërbyer banorëve të zonës për çlodhje, apo e kanë shfrytëzuar këtë burim hidrik për bujqësinë dhe blegtorinë. Sotira, vizitorë të përditshëm ka pasur vetëm banorët e zonës, por tashmë po kthehet në një destinacion për shumë turistë shqiptarë.

Ajo ndodhet 2 orë larg zonave të banuara e për pasojë natyra është e virgjër dhe e paprekur nga dora e njeriut. Në këmbët e saj zë fill lumi i Sotirës dhe në ujin e kristaltë dhe të ftohtë të tij mund të shihen peshqit.

Sotira është unike në llojin e saj dhe ajo që e bën të veçantë është mënyra e daljes së ujit nga lartësi të ndryshme. Janë tre burime ujore që dalin në trajtë çurgjesh nga lartësi të mëdha nga 20 – 150 metra të shkëmbinjve gëlqerorë. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.