Zgjedhjet në BE, Basha-shqiptarëve: Votoni partitë e djathta europiane

TIRANË, 24 Maj /ATSH/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u ka bërë thirrje sot qytetarëve shqiptarë që jetojnë në vendet e Bashkimit Europian që t’i drejtohen kutive të votimit, për zgjedhjet europiane për Parlamentin Europian.

“Në Shqipëri po zhvillohet një betejë për jetë a vdekje, për standardet dhe vlerat europiane të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të lirisë dhe demokracisë, të votës së lirë, të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, të drejtësisë me një standard dhe barazisë para ligjit, të lirisë ekonomike dhe dinjitetit për të gjithë qytetarët shqiptarë”, shprehet Basha.

Këto, thekson kreu i PD, “janë vlerat europiane për të cilat lufton Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar. Por këto ditë një betejë tjetër po zhvillohet në të gjitha vendet anëtare të BE-së. Zgjedhjet për PE janë një betejë për vlerat europiane, janë një betejë për ta mbajtur Europën të fortë e të bashkuar, demokratike dhe të lirë, mendje hapur dhe vendosur për të siguruar integrimin europian dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE së toku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”.

“Kërkesa ime ndaj jush vëllezër dhe motra, zonja e zotërinj, të rinj e të reja është që të ndani pak minuta nga koha juaj, t’i drejtoheni kutive të votimit dhe të zgjidhni Partinë Popullore Europiane, partitë tona simotra, të votoni për partitë simotra të PPE kudo ku ndodheni, në vendet fqinje, në Itali e Greqi, në Gjermaninë mike dhe aleate, në vendet e tjera mike dhe aleate të Shqipërisë, kudo në BE, në vendet skandinave dhe kudo tjetër të zgjidhni partitë simotra të PPE, partisë më të vendosur për vlerat europiane të lirisë e demokracisë”, thekson Basha.

“Partisë që ka udhëhequr Europën drejt kohërave të lirisë, demokracisë dhe prosperitetit më të pashembullt në këto 70 vite. Votoni për partitë simotra të PPE-së dhe në këtë mënyrë do të keni votuar për të përmirësuar pozitat tuaja si shtetas apo si rezidentë në shtetet anëtare të BE-së dhe në këtë mënyrë do të keni votuar për një parti të vizionit europian të një Europe të plotë, në paqe e prosperitet dhe të integruar me të gjitha vendet e saj përfshirë dhe Shqipërinë tonë të dashur, përfshirë edhe Kosovën, përfshirë dhe Maqedoninë, Malin e Zi, madje edhe Serbinë ku jetojnë bashkëkombësit tanë Luginën e Preshevës”, shton Basha.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.