Spiropali: Koha për dialog po mbaron, fushata e zgjedhjeve është pak ditë larg

TIRANË, 24 maj /ATSH/ “Koha për Dialog po mbaron dhe fushata e zgjedhjeve është pak ditë larg. Si të duan! Ne jemi edhe për pak ditë në dispozicion të dialogut. Ndërsa kush nuk e ka kuptuar akoma pse duhen bërë zgjedhjet në 30 qershor, le të rishohë shfaqjen e marrosjes së Saliut mbrëmë”, tha sot ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhënësja e Qeverisë, Elisa Spiropali.

Sipas saj, mbrëmë shqiptarët panë fytyrën e degradimit më të skajshëm të politikës së 30 vjeteve dhe dëgjuan gojën më të shqyer të asaj politike. “Ish-president i Republikës, ish-kryeministër i Shqipërisë, ish-kryetar i Partisë Demokratike për çerekshekulli dhe lider sot e gjithë ditën i opozitës më histerike që Shqipëria ka njohur, Sali Berisha mbrëmë u tregoi shqiptarëve më mirë se sa çdo ta bënim të gjithë ne, pse në 30 qershor duhet mbyllur njëherë e mirë puseta që ka qelbur politikën shqiptare për 30 vjet me radhë; pse nuk duhet të lejohet në asnjë mënyre që Kushtetuta të bëhet lodra e partive politike; pse nuk duhet te pranohet në asnjë mënyrë që anormaliteti i mendjes së Sali Berishës të vazhdojë të trajtohet si normalitet, në emër të mirëkuptimit me ata që s’duan të kuptojnë”, tha ajo.

“Pa pikën e turpit dje dhe sot, një deklaratë shtypi e një grupi njerëzish vullnetmirë në partinë simotër të PD-së në CDU/CSU, që duan të ndihmojnë Shqipërinë, keqpërdoret si vendim i parlamentit gjerman për të shtyrë datën e zgjedhjeve”, theksoi Spiropali.

“Ndërkohë që ata miq të Shqipërisë dhe partnerë politikë të PD, kryefjalën e tyre e kanë prej ditësh dialog pa kushte dhe ndërkohë që kryeministri ka tri ditë rresht që publikon me shkrim, ftesën për Dialog pa Kushte, Saliu dhe të paudhët e tij u bien të njëjtave daulle lufte frontale, duke bërë sikur ajo kryefjalë nuk ekziston”, tha ajo.

“Që këta janë tallur me shqiptarët sa kanë dashur dhe kanë bërë rëndom si kanë dashur me Shqipërinë, kjo dihet! Por që sot sharra e tyre ka ngecur përfundimisht në gozhdë dhe o duhet ta braktisin sharrën bashkë me politikën e shantazhit e të dhunës, o s’ka asnjë të ardhme për ta, ketë mesa duket do ta marrin vesh tamam tamam vetëm në 30 qershor”, theksoi ministrja Spiropali.

“Kush nuk e ka kuptuar akoma pse kjo betejë kundër zgjedhjeve, është në thelb betejë e frikës së Lulzim Bashës nga humbja dhe betejë e frikës së Saliut e jo vetëm Saliut, nga drejtësia, le t’i kthehet logoresë pa autokontroll të të marrit që u shfaq mbrëmë në ekranet e shqiptarëve! Kush nuk e ka kuptuar akoma qe 30 qershori është kthyer në momentin që ose mbyllet puseta e epidemive politike të 30 vjetëve, ose Shqipëria bie mbrapsht në atë pusete përsëri për kushedi sa vjet të tjera, le të shohë pa zë thjesht fytyrën e Saliut mbrëmë!

Mbrëmë ai ishte sa Saliu, aq edhe Shqipëria që nuk duam më, politika që nuk duam më, sjellja publike që nuk duam më, komunikimi që nuk duam më, gjithçkaja që nuk duam më në rrugën e Shqipërisë që duam.

Ah edhe diçka, kush ka frikë se çoç do bëjë Luli me punonjësit e bashkive të PD-së dhe disa grupe ekstremistësh të dhunshëm në 30 qershor, le të shohë rrangallën e mbrëmshme, Saliun, që tanimë është thjesht lehësi i dalë mendsh që veç bishtit të tij, s’kafshon dot asgjë”, përfundoi Spiropali. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.