Manastirliu në poliklinikën e Paskuqanit: Lehtësim procedurës për barnat me rimbursim

TIRANË, 24 maj/ATSH/ – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një vizitë të befasishme në Poliklinikën e Specialiteteve nr. 4 në Paskuqan, ku dëgjoi ankesat e qytetarëve për organizimin e shërbimit dhe radhët e pritjes për shërbimin e specializuar.

“Do të marrim masa të menjëhershme për riorganizimin e shërbimit në këtë poliklinikë specialitetesh, sepse përderisa kemi një sistem përcaktimi të fashës orare, nuk ka arsye pse qytetarët të presin në radhë të gjata”, – iu përgjigj Manastirliu interesimit të qytetarëve.

Ministrja Manastirliu lajmëroi edhe fillimin e procesit të lehtësimit të procedurave për barnat e rimbursueshme.

“Për sëmundjet kronike do të lehtësojmë qytetarët nga detyrimi për t’u paraqitur pranë mjekut të familjes çdo muaj ose çdo dy muaj. Paraqitja te mjeku i familjes do të bëhet çdo 4-6 muaj për rimbursimin dhe vetëm nëse do të jetë e nevojshme për qytetarët mund t’a kryejnë vizitën në çdo kohë”, – tha Manastirliu gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në Poliklinikën e Specialiteteve në Paskuqan./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.