Trajtimi financiar i minatorëve, naftëtarëve dhe metalurgëve, premtim i mbajtur i qeverisë

TIRANË, 23 maj/ATSH-Maela Marini/ “Projektligji për trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji është një premtim i mbajtur i kësaj qeverie”, – deklaroi sot deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj.

Gjatë fjalës së mbajtur në seancë plenare, Ahmetaj tha se “ky projektligj trajton në themel drejtësinë sociale ndaj këtyre 3 grupeve profesionale, të cilët më në fund marrin shpërblimin e kërkuar ndër vite”.

“Thelbi i ligjit është se të treja profesionet trajtohen në mënyrë të veçantë, në referencë të vështirësisë së tyre, vjetërsisë së punës dhe u garantohet përmes instrumentit të sigurimit suplementar një pension dinjitoz”, – tha Ahmetaj.

Sipas tij, “kjo do të thotë premtim i mbajtur nga kjo qeveri”. “Vite më parë po kjo mazhorancë dhe ky kryeministër i uli vitet e daljes në pension të minatorëve nga 65 në 55 vjeç”, – tha Ahmetaj.

Ahmetaj tha se nëse një minator i nëntokës sot paguan 1 lekë për siguracione, ai do të marrë 3,6 lekë në pension. “Diferenca do të financohet nga buxheti i shtetit dhe ata do të marrin atë që u takon”, – tha Ahmetaj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.