Rista: Unifikim në trajtimin financiar të minatorëve, metalurgëve dhe naftëtarëve

TIRANË, 23 maj/ATSH/ – Deputetja e Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Adelina Rista gjatë seancës plenare të së enjtes deklaroi se votimi i nismës ligjore “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji” synon unifikimin në trajtimin financiar të minatorëve, metalurgëve dhe naftëtarëve.

Në fjalën e saj në Kuvend, ku po diskutohet kjo nismë, Rista tha se “Të gjitha këto vende që jetojnë me industri të tilla dhe jetën e kanë të lidhur me këtë lloj industrie, burim i të ardhurave të tyre sigurohet nga kjo lloj industrie, kanë shkallë të ndryshme vështirësie, kanë shkallë të lartë vështirësia, pikërisht për këtë arsye minatori është futur në profesionet shumë të vështira, naftëtari dhe metalurgu profesionet e vështira”.

Deputetja theksoi se punonjësit e nëntokës punojnë në fronte të vështira pune.

“Ikën në mëngjes dhe nuk e di nëse do të kthehesh kur futesh në nëntokë dhe është një pozicion tejet i vështirë pune për minatorët. Prandaj e përshëndes këtë nismë të qeverisë për trajtim financiar suplementar. Ikën në puset e naftës dhe nuk e di nëse do të kthehesh më”, tha ajo.

Sipas saj, përmes trajtimin financiar punonjësit e këtyre profesioneve do të mund të jenë përfitues. /z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.