Nënshkruhet Programi i Bashkëpunimit Ushtarak mes Shqipërisë dhe Greqisë

TIRANË, 23 maj/ATSH/- Shqipëria dhe Greqia nënshkruan Programin e Bashkëpunimit Ushtarak për vitin 2019, pikat kryesore të së cilit janë bashkëpunimi në operacionet e kërkim – shpëtimit dhe policimin e hapësirës sonë ajrore.

Programi i Bashkëpunimit Ushtarak përfshin trajnimin në Qendrën e Trajnimit Operacional të Ndërhyrjes Detare të NATO-s dhe Qendrën e Trajnimit Shumëkombësh të Mbështetjes së Paqes, pjesëmarrjen në stërvitje të përbashkëta, shkëmbime e trajnuesish dhe vizita të delegacioneve respektive ushtarake.

Programi i Bashkëpunimit Ushtarak për vitin 2019 u nënshkrua në Athinë nga drejtori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Shtabin e Përgjithshëm të FA greke, Michael Naoum dhe drejtori i Politikave të Mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë, Florian Kali.

Gjatë takimit u shqyrtuan fusha të tjera me interes të përbashkët si pjesë e forcimit të bashkëpunimit ekzistues në fushën e mbrojtjes, ndërkohë që më 1 korrik 2019, Shqipëria do të marrë Presidencën e Ministerialit të Mbrojtjes për Europën Juglindore (SEDM). /a.g

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.