Deputetja Hajdari: Duhet të jemi të bashkuar për të shkuar drejt Europës

TIRANË, 23 maj/ATSH- A. Fortuzi/- Deputetja Rudina Hajdari gjatë punimeve në seancën e sotme plenare ka theksuar se ndryshimi dhe  ardhmja e vendit e drejt Bashkimit Europian, vjen duke qenë të bashkuar e jo duke ndenjur në rrugë.

“Duhet të jemi të bashkuar dhe të arsyetojmë e të luftojë këtë mazhorancë në çdo mënyrë. Por duke ndenjur në rrugë nuk vjen ndryshimi. Duhet patjetër që ne si opozitë të shpalosim një alternativë që ti mbushim mendjen BE dhe gjithë botës se jemi në gjendje të unifikohemi dhe se jemi të dhënë në radhë të parë për interesin e vendit e jo të interesave partiak”, – tha Hajdari.

“Do iu përmend disa fjalë që i kam lexuar në vitin 1991 në seancën e 30 prillit (Duke iu referuar fjalimit të babait të saj, ish-deputetit Azem Hajdari). Reflektimi nga të gjithë për këtë moment historik, do të ishte një nder dhe detyrë e të gjithë deputetëve. Do të ishte një nder dhe detyrë e çdo qytetari, sepse dihet se ne kemi bërë një kthesë historike, jemi ndarë nga e kaluara e hidhur dhe po shkojmë drejt Evropës”, tha ajo.

“Të shkosh drejt Europës së qytetëruar duhet të shkosh me thellësi mendimesh, i vendosur në rrugën që ke nisur, të kesh jo thjesht unitet mendimi, por unitet pluralist, një objektiv të qartë që ne të hyjmë në kombet e qytetëruara”, – tha Hajdari.

“Këto janë fjalët e Azem Hajdarit në 30 prill 1991. Po ku jemi ne sot?! Pse këta politikanë sot të të dyja palëve nuk kanë arritur dot të gjejnë këtë gjuhë? Unë mendoj se janë dy arsye. E para, është sepse ata druhen nga ndëshkimi i shtetit të së drejtës, ata druhen përballë drejtësisë. Ata duan pushtet absolut. E di si arrihet pushteti absolut? Duke dobësuar rolin e Parlamentit. Dhe të dyja palët politike janë munduar të dobësojnë këtë parlament. Pa një parlament të fortë ka një ekzekutiv shumë të fortë”, – nënvizoi Hajdari.

“Ne nuk duhet ta lejojmë këtë. Duhet të përdorim të gjitha instrumentet që na jep Kushtetuta për të monitoruar qeverinë. Ne duhet ti shprehim shqiptarëve që jemi të aftë për të besuar besimin e tyre e s’duhet të lejojmë asnjë pazar në kurrizin e tyre”, – tha ajo.

“Duhet ti themi shqiptarëve se jemi gati ti shprehim se kemi vullnet të plotë për tu bërë pjesë e BE, – tha Hajdari, – Reforma në Drejtësi duhet të realizohet me çdo kusht, duhet të bëjmë të pamundurën për të ecur përpara në këtë drejtim”, vijoi Hajdari. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.