BM – Londra: NATO nisma konkrete në luftën kundër sulmeve kibernetike ruse

LONDËR, 23 maj /ATSH-AFP/ – Ministri britanik i Punëve të Jashtme, Jeremy Hunt do t’u kërkojë sot anëtarëve të NATO-s më shumë nisma për të parandaluar tentativat e sulmeve kibernetike të Rusisë, pasi njoftoi se ka ndihmuar 16 shtete anëtare të NATO-s për t’u përballur me këto kërcënime.

”Ne vlerësojmë se shërbimet sekrete ruse shënjestrojnë infrastruktura të rëndësishme kombëtare në shumë shtete për të nxjerrë në pah pikat e dobëta’’, deklaroi Hunt në një konferencë për mbrojtjen nga sulmet kibernetike para ambasadorëve të NATO-s dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Sipas tij, gjatë 18 muajve të fundit, Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike shpërndau informacione me 16 aleatë të NATO-s dhe shtete të tjera jashtë Aleancës për aktivitetet kibernetike të Rusisë në shtetet e tyre.

Duke cituar përpjekjet ruse të ndërhyrjes në zgjedhjet në Ukrainë dhe në SHBA, ministri i Punëve të Jashtme sqaroi se çdo përpjekje e këtij lloji shkel të drejtën ndërkombëtare dhe justifikon një reagim të ekuilibruar./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.