Biba: Kodi Zgjedhor i qartë, PD-LSI nuk mund të jenë pjesë e administrimit të zgjedhjeve

TIRANË, 23 maj/ATSH-Maela Marini/ “Kodi Zgjedhor në tërësinë e vetë parashikon se nëse nuk je i regjistruar në zgjedhje nuk mund të kesh pjesë në administrimin dhe në menaxhimin e tyre”, deklaroi sot nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba.

Në mbledhjen e sotme, KQZ po diskuton vendimin e PD-LSI për të dërguar komisionerë në Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve për procesin elektoral të 30 qershorit.

“Përtej misionit të KQZ-së që të mundësojë me patjetër zgjedhje të lira dhe të ndershme, kemi një strukturë me dy parti politike që janë kundër zgjedhjeve por që kërkojnë t’u jepet në dorë menaxhimi i zgjedhjeve. Kjo është realisht absurditet”, tha Biba.

Ai theksoi se ligji interpretohet si një i tërë, dhe jo në mënyrë të veçuar nene të veçanta të tij. “Interpretimi i ligjit është e vetmja mënyrë se si mund të shkohet tek e drejta. Këtu është diferenca mes historianit, arkeologut dhe juristit. Juristi e interpreton normën ligjore në të gjithë kontekstin e saj. Kodet janë tekste unike dhe interpretohen nën dritën e qëllimit që ka Kodi, jo neni. Dhe qëllimi i këtij Kodi është bërja e zgjedhjeve”, tha Biba.

Sipas tij, “nuk mund të interpretohet në mënyrë të pavarur vetëm një nen i Kodit dhe të injorohen gjithë të tjerët”.

“Në përpjekjen për ta interpretuar nenin 29 në kontekstin e gjithë Kodit Zgjedhor ndihmojnë shumë nene të tjera. Neni 29 ka të bëjë me mënyrën se si ndërtohet KZAZ. Neni 32 flet për shkarkimin dhe zëvendësimin e anëtarëve, Ku Kodi thotë qartësisht se bëhet me propozimin e një subjekti zgjedhor. Ne nuk mund të interpretojmë nenin 29 të shkëputur nga gjithë Kodi”, tha Biba.

Nënkryetari i KQZ-së theksoi se ai që emëron dhe shkarkon duhet të jetë me patjetër edhe subjekt zgjedhor.

Po ashtu, Biba iu referua nenit 96, ku thuhet se ato parti që kanë anëtarë në KZAZ do të kenë edhe në KQV dhe në grupet e numërimit. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.