Berat, investime infrastrukturore në rrugët e qytetit dhe ato rurale

TIRANË, 23 maj /ATSH/ – Prej dy muajsh, Drejtoria e Shërbimeve Publike në Berat në bashkëpunim me të tjera ndërmarrje të bashkisë e kanë fokusuar punën e tyre rehabilitimin e rrugëve në lagjet e qytetit, por edhe në njësitë administrative.

Në dy javët e fundit janë kryer punime në disa prej pjesëve problematike të lagjeve të qytetit, duke shtruar me beton dhe çakull segmente të ndryshme të rrugëve dytësore; në lagjet e brendshme të Uznovës, në lagjen “Çlirim”, në lagjen “Barrikadë” janë ndërtuar mure mbajtëse dhe shkallë me pllaka betoni për kalimin e këmbësorëve, po ashtu është bërë ndërtimi i murit dhe shtrimi pjesërisht me çakull i rrugës “Gaqi Gjika” (MCR – ja).

Kryetari i bashkisë, Petrit Sinaj, inspektoi sot punimet infrastrukturore të kryera në disa prej segmenteve rrugore të fshatit Duhanas, njësinë administrative Velabisht dhe në Roshnik.

“Këtu janë kryer punime për rrugë të brendshme që lidhin lagjet e fshatrave, ku pjesët e vështira bëhen me beton, ndërsa të tjerat me çakull. Disa prej segmenteve rrugore bëhen me beton, pasi shirat e rrëmbyeshme për shkak të pjerrtësisë së rrugës mund t’i rikthejnë ato në gjendjen fillestare, ndërsa me beton këto rrugë do të kenë një jetëgjatësi më të madhe’-, theksoi Sinaj.

Sipas tij, në fshatin Duhanas janë shtruar rreth 110 metër linear ( 340 m2) rrugë me beton, e cila lidh dy lagje të këtij fshati, por dhe me Muçollasin, lagje e fshatit Qereshnik, duke përmirësuar dhe lehtësuar lëvizjen e banorëve të këtij komuniteti.

“Edhe këtu në Roshnik, siç e shikoni, janë shtruar afro 120 metër linear ( 360m2) rrugë me beton, e cila u mundëson banorëve të kësaj lagjeje të lëvizin lirshëm. Me ndërtimin e rrugës nga Berati në Roshnik, ky fshat ka marrë goxha zhvillim. Janë ndërtuar bujtinat e para, restorantet, është zhvilluar agroturizmi, vetë banorët kanë investuar në biznese të ndryshme, duke e shndërruar këtë fshat në një atraksion turistik për vizitorët vendës dhe të huaj”,- nënvizoi Sinaj.

Të njëjtën vëmendje, shtoi ai, do të kemi edhe për fshatrat e tjera të bashkisë së Beratit./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.