Shahini: Protesta e sotme para MASR, shfaqje e teatrit të dhunshëm opozitar

TIRANË, 22 mars/ATSH/ “Ishte një trishtim për mua, por edhe një cenim i rëndë i imazhit të Studentit Protestues, që sot para Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë një grusht individësh partiakë e rrëmbyen me dhunë masën e vogël të studentëve duke e kthyer në sfond dhune”, deklaroi sot ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini.

Duke komentuar protestën e sotme para MASR, Shahini u shpreh se “thanë se do të vinin të kërkojnë cilësi të arsimit të lartë duke protestuar në të njëjtin vend ku protesta e dhjetorit i hapi rrugën Paktit kuptimplotë për Universitetin, por thjesht thyen xhamat e institucionit sipas modelit më të keq të politikës opozitare”.

Lajmi i mirë, sipas ministres, “është se sot Studenti Protestues nuk ishte aty, por sidoqoftë trishtimi mbetet dhe turpi u mbetet atyre që lanë nam me “protestën” e kthyer në një shfaqje të teatrit të dhunshëm opozitar”.

“Ndërkohë, ne do të vazhdojmë të mbajmë angazhimet e Paktit për Universitetin, që sot ka sjellë në jetën universitare bibliotekën digjitale, portalin e transparencës, bursat për ekselentët e studentët në nevojë, kantieret për përmirësimin e kushteve nëpër konvikte, zhvillimin e kartës për 110 mijë studentë të universiteteve publike”, siguroi ministrja. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.