Rama: A e pengon mungesa e Kushtetueses Presidentin të mbrojë datën e zgjedhjeve?

TIRANË, 22 maj /ATSH/ – Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot pas deklaratave të Presidentit të Republikës, Ilir Meta se vendi është pa Gjykatë Kushtetuese prej Reformës në Drejtësi.

Kryeministri pyet nëse e pengon Presidentin mungesa e Gjykatës Kushtetuese të mbrojë datën e zgjedhjeve, që sipas Kushtetutës ai e ka dekretuar?

Kryeministri shton se, falë Vetingut Gjykata Kushtetuese është sot një djep bosh pa shejtanin brenda.

“A e pengon mungesa e Gjykatës Kushtetuese Presidentin e Republikës të mbrojë datën e zgjedhjeve që sipas Kushtetutës ai e ka dekretuar? Falë Vetingut, Gjykata Kushtetuese është sot një djep bosh pa shejtanin brenda! Kjo është më shumë se gjysma e një pune të madhe që kërkon durimin e kohën e saj”, shprehet Rama.

Gjithashtu, Kryeministri thekson se Presidenti ka të drejtë drejtë kur thotë djegia e mandateve është e papranueshme, por shton Rama s’e dimë opinionin e Presidentit për djegien e zgjedhjeve.

“Pa diskutim Presidenti ka të drejtë kur thotë djegia e mandateve është e papranueshme, po dhe më i papranueshëm është përbetimi për të djegur zgjedhjet! S’e dimë opinionin e Presidentit për këtë dhe bashkë me kritikat e tij, mezi e presim apelin e vonuar në mbrojtje të 30 qershorit”, shprehet Kryeministri Rama.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.