Kombëtarja/ Strakosha humbet eliminatoret me Islandën dhe Moldavinë

TIRANË, 22 maj /ATSH/ – Thomas Strakosha humbet dy ndeshjet e Kombëtares me Islandën dhe Moldavinë.

Këtë herë nuk bëhet fjalë për një vendim të trajnerit, sikurse ndodhi me Panuccin për sfidat me Turqinë dhe Andorrën, por për shkak të një dëmtimi që nuk e lejon portierin e “Lazios” që të jetë i gatshëm për të dhënë kontribut për kuqezinjtë.

24-vjeçari nuk u grumbullua nga Simone Inzaghi për ndeshjen e së hënës, “Lazio” – “Bologna”, pikërisht për shkak të këtij dëmtimi që e mundon prej kohësh. Strakosha ndien shqetësime fizike prej disa javësh, gjë që ka ndikuar në vendimet e Inzaghit për ta kursyer në takime të veçanta të “Lazios”, duke aktivizuar portierin e dytë, Proto, ndërsa në finalen e Kupës së Italisë, Strakosha bëri një sakrificë të jashtëzakonshme, duke zbritur në fushë me ndihmën e injeksioneve.

Ai bëri disa pritje vendimtare në finale me “Atalantën”, duke dhënë kontribut të çmuar në fitimin e trofeut. Pikërisht aktivizimi në ndeshjen e fundit të Kupës së Italisë duket se e ka përkeqësuar gjendjen e tij, aq sa të jetë e pamundur prania e tij me kuqezinjtë në dy ndeshjet e qershorit, në kuadër të eliminatoreve të “Euro 2020”.

Trajneri Edy Reja, për shkak të pamundësisë për të pasur në dispozicion Strakoshën, ka ftuar portierin e “Laçit”, Gentian Selmani.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.