E-Learning në mjekësi, Shqipëria drejt shndërrimit në një inkubator të inovacionit teknologjik në Europë

TIRANË, 22 maj /ATSH-Gjergji Mima/ – Kryeministri Edi Rama e vlerësoi si moment historik për shëndetësinë shqiptare vendosjen e sistemit të platformës “e-Learning” së kompanisë italiane “Consulcesi” për të gjithë profesionistët e fushës së shëndetësisë në Shqipëri.

Ai e cilësoi këtë sistem si një produkt ekselence që vjen nga Italia, të ngjashëm me makinat “Ferrari” apo me çokollatat “Ferrero”.

Kryeministri vlerësoi edhe kontributin e ish-kryeministrit italian Massimo D’Alema, i cili ndodhet gjithmonë në Shqipëri në momente historike për vendin tonë.

“Së pari dua të kujtoj se është tamam 20 vjet më parë kur Kryeministri i Italisë, miku i shtrenjtë i këtij vendi, Massimo D’Alema, erdhi në Shqipëri për t’u ndalur në Kukës dhe për të shprehur në emër të vendit të tij solidaritetin me dhjetëra-mijëra shqiptarë të Kosovës që kalonin çdo ditë kufirin në një moment tragjik për Kosovën dhe në një moment historik për fatet e kombit shqiptar”, – tha Rama.

Ky i sotmi, theksoi Kryeministri, “nuk është një moment tragjik, por është një moment historik në zhvillimin e mëtejshëm të shëndetësisë shqiptare dhe kryeministri i Italisë rikthehet përsëri në vendin tonë për të mbështetur promovimin e një produkti, që pa dashur ta ekzagjeroj është një produkt ekselence që vjen nga Italia, njësoj si eksportet e ‘Ferrarit’ apo ‘Ferreros’ dhe që iu vihet në dispozicion të gjithë profesionistëve të fushës së shëndetësisë”.

“Një kompani ekselence me qendra në Romë, Londër, Lugano, Majami dhe Tiranë që është kthyer në një prej pikave të referimit global në fushën e-learning të edukimit dixhital dhe një prej markave më të spikatura sot të inovacionit,  jo vetëm në Itali, por në mbarë botën i ofron sistemit tonë shëndetësor një platformë që faktikisht, sapo ka nisur të shtrihet përtej kufijve të Italisë dhe që me shumë gjasë do të jetë më herët se vonë një platformë e kudondodhur dhe në vende shumë më të zhvilluara se i yni që ende nuk e kanë sepse koha e teknologjisë së re e zhbën kufirin mes vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim si rezultat i kurajos, por edhe fatit për të qenë në kohën dhe vendin e duhur për të adoptuar një sistem të kësaj natyre”, u shpreh Rama.

Rama falenderoi ish-Kryeministrin italian D’’Alema, pasi, theksoi Kryeministri “ka qenë një reformë e rëndësishme e kryer në kohën e qeverisë së tij për shëndetësinë ku është futur ajo që u bë shembull për ne, edukimi në vazhdim, i detyruar, jo opsional. Megjithëse, siç e tha ministrja tanimë ka të njëjtin status, sot sipas ligjit në fuqi. Dhe jo vetëm na shërbeu si pikë referimi ajo reformë, por falë falë miqësisë dhe nxitjes së tij ne mund të kemi sot këtu në shërbimin e shëndetësisë shqiptare një partner me një integritet profesional të padiskutueshëm si ‘Consulcesi’”.

 Transformimi në shëndetësi hyn në një fazë të re

“Ka një gjë që nuk e tha askush dhe po e them unë se është gjëja që më ka pëlqyer më shumë nga kjo platformë që asnjë nuk i ikën dot kësaj platforme sepse nuk është një platformë tradicionale e edukimit në distancë, por është platformë block-chain që do të thotë që me këtë platformë merr fund sporti kombëtar i hileve në fushën e shëndetësisë, se në të gjithë fushat ne e kemi një sport goxha të zhvilluar, për të prezantuar letra dhe certifikata sikur i kemi kryer ato detyrime lidhur me edukimin në vazhdim, për një arsye shumë të thjeshtë, sepse me këtë platformë askush nuk mund t’i shmanget dot edukimit në vazhdim. Dhe gjithkush që i shmanget nuk merr dot kreditet”, – deklaroi Kreu i Ekzekutivit.

Ai tha se “block-chain është një hap në zhvillim sot i një transformimi të thellë të gjithë sistemit të botës së teknologjisë dixhitale, pasi përbën një kapërcim në një platformë në një nivel të ri sigurie dhe gjurmueshmërie, të papenetrueshëm, të patransformueshëm dhe të pamanipulueshëm”.

“Është sistem i provuar tanimë botërisht dhe ajo çka mbetet për t’u parë është sesi do të transformojë botën dixhitale duke u shtrirë në të gjithë aspektet e jetës dhe administrimit të sektorëve të sipërmarrjes së sistemit të të gjithë ndërveprimeve njerëzore”, – tha Rama.

Kryeministri u shpreh se, “ne jemi duke përgatitur dhe një ligj që së shpejti do të hyjë në procedurën parlamentare për teknologjinë block-chain, pasi ambicia jonë është të përfitojmë nga mundësitë e njëjta që inovacioni i jep vendeve pavarësisht shkallës së zhvillimit të tyre dhe si një vend në zhvillim të mundohemi të jemi në avangardë të cilitdo aspekt të inovacionit pikërisht duke pasur kurajon dhe shpejtësinë që burokracitë dhe proceset më të ndërlikuara të vendeve më të zhvilluara bëjnë që të mos kenë të njëjtën shpejtësi. Kalimi nga shëndetësia elektronike tek shëndetësia dixhitale është një proces i gjatë nuk diskutohet. Por me këtë hap çelet ky shteg”.

“Ajo çka besoj është e rëndësishme është edhe aspekti tjetër. Nuk bëhet fjalë vetëm për një sistem të papenetrueshëm, të patjetërsueshëm dhe të pamanipulueshëm, ku çdo profesionist i shëndetësisë nuk ka shans që t’ia hedhi me hile, por bëhet fjalë edhe për një sistem të një cilësie shumë të lartë të edukimit në distancë. Është një sistem që do të lehtësojë jashtëzakonisht procesin e edukimit në vazhdim të të gjithë profesionistëve të shëndetësisë. Është që një sistem që do të informojë në kohë reale për gjithçka ndodh në fushën e aktivitetit të profesionistëve të shëndetësisë, sipas sigurisht të gjithë profileve. Është një sistem që na jep mundësinë që realisht t’u themi shqiptarëve, atyre që u drejtohen sistemit se më herët se vonë profesionistët tanë të shëndetësisë do të jenë në një nivel tjetër për nga shkalla e njohurive dhe për nga aktualizimi i njohurive”.

Kryeministri theksoi edhe një element tjetër. “Deri sot janë rreth 1200 profesionistë të shëndetësisë që kanë marrë pjesë në aktivitetet e edukimit në distancë, të akredituara nga Qendra Kombëtare e edukimit në vazhdim ose jashtë vendit dhe është një numër i papranueshëm sepse në raport me numrin total të punonjësve të shëndetësisë është jo vetëm relativisht i vogël, por po të kesh parasysh dhe hilet është akoma më i vogël. Kështu që kjo formë e re ndërveprimi që do t’i krijojë Qendrës Kombëtare të edukimit në vazhdim mundësinë e një aktiviteti shumë më të gjerë dhe shumë më cilësorë do të bëjë të mundur që numri faktikisht të barazohet me numrin e atyre që janë aktiv në këtë sistem. Nuk do të lejojmë më vazhdimin e aktivitetit të mjekëve që nuk kalojnë nga edukimi i detyruar në vazhdim që është i sanksionuar në ligj. Dhe koha e atyre krediteve të marra me vërtetime falco apo me lloj-lloj artikujsh dhe kontributesh pa lidhje mbaron me këtë sistem”.

Ky sistem, vijoi ai, i jep mundësinë të gjithëve që realisht të shkojnë në një nivel tjetër, pasi ka dhe një komoditet absolut është i aksesueshëm nga një kompjuter kudo që të jesh, mjafton të kesh lidhje me internetin.

Kryeministri shprehu bindjen se, “shumë shpejt do mund të bëjmë një bilanc të parë të rezultatit të gjithë kësaj ndërhyrjeje historike në sistemin tonë të shëndetësisë”.

“Ka një shprehje, miku duket në ditë të vështira. Kryeministri D’Alema është një nga ata miq që në ditë të vështira ka qenë prezent, por besoj që miku nuk duket vetëm në ditë të vështira, por edhe aty ku ke nevojë që dita të jetë më e mirë”, vijoi ai.

Shërbimet ndaj qytetarëve të jenë në standardin e cilësinë e duhur 

Kryeministri Rama deklaroi se “sot pavarësisht se jemi të vetëdijshëm se sa shumë ka për të bërë akoma në krahasim me sa është bërë, një gjë është e sigurt sot shëndetësia që kemi nuk ka asnjë krahasim me atë që kishim 5-6 vite më parë, në aspektin e mënyrës së strukturimit, organizmit dhe funksionimit”.

“Por shëndetësia që duam nuk ka asnjë lidhje me këtë që kemi. Dhe pikërisht për të lidhur të sotmen me të ardhmen, jemi këtu realisht në një moment që do ta kujtojmë gjatë pasi është një moment kur transformimi hyn në një fazë të re duke rritur cilësinë e burimeve njerëzore, për rritjen profesionale të burimeve njerëzore”, – u shpreh Rama.

Ai shtoi se “mund të bëjmë spitale të reja, mund të biem aparatura të reja, mund të krijojmë një infrastrukturë të re në çdo aspekt, ashtu sikundër mund të bëjmë shkolla të reja, mund të bëjmë investime për laboratorë, por në fund të ditës diferencën e bën cilësia e kapitalit njerëzor”.

“Dhe ky është investimi më i rëndësishëm që Shqipëria ka bërë deri më sot për të rritur cilësinë e kapitalit njerëzor. Dhe është jo pak që këtë investim e bëjmë në sektorin më të lidhur me jetën dhe shëndetin e njerëzve tanë”, – tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.