“Dogana pa letra”, Denaj: Shërbimi i ri online për bizneset, shkurtohet koha dhe ulen kostot

TIRANË, 22 maj /ATSH/- Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, inspektoi sot  ambientet e Degës Doganore Tiranë në Vorë, ku ka nisur për herë të parë aplikimi i shërbimit të ri online për bizneset, “Dogana pa letra”.

Denaj tha se, “ky shërbim i ri në shifra, përkthehet proces pa letra në shërbimin të qytetarëve dhe është një modernizim i sistemit doganor shqiptar, duke iu përafruar standardeve të Bashkimit Europian”.

Deklaratat doganore tashmë kryhen online dhe i vijnë në ndihmë drejtpërdrejt biznesit dhe sipërmarrjes, në reduktimin e kohës, procedurave burokratike dhe kryerjen e shërbimeve sipas standardeve europiane.

Denaj e cilësoi shërbimin e ri premtim të mbajtur ndaj biznesit që siç tha ajo “shkurton kohën e pritjes së bizneseve në doganë, ulë kostot dhe minimizon kontakti fizik mes biznesit dhe sporteleve doganore”.

“93% e deklaruesve nuk kanë asnjë nevojë të paraqiten pranë sporteleve doganore dhe ky  është një moment historik për doganën shqiptare, që po kalojnë në sistemin “paperless”-  tha Denaj. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.