Deputetja Hajdari: Shqipëria meriton hapjen e negociatave në qershor

TIRANË, 22 maj/ATSH/- Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë hapjen e negociatave në qershor. Kështu është shprehur deputetja Rudina Hajdari, që së bashku me Kryeparlamentarin Gramoz Ruçi dhe kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ndodhen për një vizitë në Holandë.

Hajdari duke njoftuar mbi ecurinë e takimeve atje, thekson se vendi ynë meriton çeljen e negociatave.
“Në cilësinë e Kryetares së Komisionit të Integrimit shpreha se Shqipëria dhe Shqiptarët e meritojnë hapjen e negociatave në qershor. Në seancën dëgjimore me Komisionin për Çështjet e BE në Parlamentin e Holandës theksova se hapja e negociatave është e rëndësishme për destinacionin europian të vendit tonë”, tha Hajdari.
“Si anëtare e NATO-s prej dhjetë vjetësh, Shqipëria është një faktor stabiliteti, sigurie e paqeje në rajon e më gjerë. Hapja e negociatave është e rëndësishme për të mos braktisur orientimin dhe destinacionin europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor”, vijon Hajdari.

“Hapja e negociatave do t’i japë impulse të reja bashkëpunimit të Shqipërisë me Holandën dhe vendet e BE-së në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit për një rajon me të sigurt”, shton Hajdari.

“Gjithashtu gjatë vizitës u takova dhe me të rinjtë Shqiptarë që janë modele pozitive. Studentë ekselentë që vijnë nga të gjitha rrethet e Shqipërisë për të studiuar për drejtësi në qytetin e Hagës”, bën të ditur Hajdari. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.