Patozi: Asnjë peng për të larguarit, nuk na ndalin dot

TIRANË, 21 maj/ATSH/ “Asnjë peng për ata që u ndanë prej nesh për shkak se u kapën për fyti dhe u lidhën prej këmbësh nga të dëshpëruarit e sistemit, të cilët ndjehen tmerrësisht të kërcënuar nga era e Bindjes Demokratike”, deklaroi sot kryetari i kësaj force politike, Astrit Patozi.

Përmes një deklarate për shtyp, Patozi u shpreh krenar “për atë që kemi bërë në kaq pak ditë dhe mirënjohës për gjithkënd që mbështeti dhe besoi tek Bindja Demokratike”.

Sot, tha ai, ne jemi realisht shumë më tepër dhe shumë më të fortë se në ditën e parë.

“Shikojeni vetë si janë shpërfytyruar, sa kanë nisur me tërbim një fushatë të egër kundër nesh, që të kujton gjuetinë e nazistëve ndaj hebrenjve, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kurrë më parë nuk ka ndodhur që një partie politike, ndonëse fare e re, t’i sulmohen, përgjohen dhe merren peng, që nga firmëtarët, deri tek kandidatët e saj për zgjedhjet e 30 qershorit”, tha Patozi.

Sipas tij, “është e pashembullt kjo që po ndodh, por ajo konfirmon gjithashtu se ne kemi bërë gjënë e duhur në kohën e duhur”.

“E kanë kot. Sepse nuk na ndalin dot, ndaj edhe janë kaq të acaruar. Nuk ia vlen të merreni me inkuizitorët, ndonëse i njohim me emra, ua dimë edhe zyrat ku i kanë thirrur të penduarit, në prani të dëshmitarëve mediatikë. Sepse koha e tyre po skadon me shpejtësi. Është koha e Bindjes Demokratike”, tha Patozi./m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.