Operacioni FRONTEX, Shqipëria kontributore në mbrojtjen e kufijve të BE

TIRANË, 21 maj /ATSH/ – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “marrëveshja për nisjen e operacionit të FRONTEX është e para me vendet jo anëtare në fushën e mbrojtjes së kufijve të jashtëm dhe e vendos Shqipërinë në një pozicion jashtëzakonisht të veçantë si kontributore në mbrojtjen e kufijve të BE nga emigracioni i paligjshëm”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Komisionerin për Migracionin, Punët e Brendshme dhe Shtetësinë të Bashkimit Europian, Dimitris Avramopoulos dhe drejtorin ekzekutiv të FRONTEX, Fabrice Leggeri, Kryeministri Rama tha se “nga ana tjetër kjo marrëveshje na jep një mundësi të artë për të forcuar bashkëpunimin me FRONTEX edhe në funksion të luftës kundër krimit të organizuar, duke qenë të vetëdijshëm në domosdoshmërinë e suksesit në këtë nismë që në vijim do të pasohet nga të tjera, në të tjera vende të rajonit tonë”.

“Është një moment i thellimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë së BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, përbën një nga 6 vektorët e strategjisë së Komisionit Europian për Ballkanin Perëndimor, të lançuar në shkurt të vitit të kaluar”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se “nisja e misionit të patrullimit të kufirit nga FRONTEX vjen si rezultat i një marrëveshjeje të nënshkruar nga vetë Komisioneri Avramopoulos në 5 tetor të 2018 në konferencën e Ministrave të Brendshëm të Ballkanit Perëndimor në Tiranë”.

Kryeministri Rama falënderoi Komisionerin Avramopoulos për angazhimin e tij të posaçëm në këtë projekt strategjik për Ballkanin Perëndimor. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.