KQZ i jep mandatin e deputetit Artemis Dralos nga lista e PS në Gjirokastër

TIRANË, 21 maj/ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot t’i japë mandatin e deputetit kandidatit të radhës në listën shumemërore të Partisë Socialiste, Qarku Gjirokastër, Artemis Kosta Dralo (Malo).

Vendimi i KQZ-së vjen pas vakancës së njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë në qarkun e Gjirokastrës, pas dorëheqjes nga mandati i deputetit të Flamur Golemit, i cili kandidon nën siglat e PS-së për kryetar bashkie të Gjirokastrës.

Artemis Dralo mban aktualisht postin e zv.ministres për Europën dhe Punët e Jashtme.

Po ashtu, KQZ vendosi të lirojë nga detyra anëtarin e KZAZ-së nr. 10 dhe dy anëtarë të KZAZ-së nr. 43, si dhe të emërojë në KZAZ-në nr. 10, Klementina Ngjeçin dhe në KZAZ-në nr. 43, Florian Shahini dhe Ermal Sula.

Në mbledhjen e sotme KQZ vendosi edhe miratimin e listave shumemërore të kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Bashkisë Lezhë, të Partisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Mohuara të Emigrantëve, pjesëtare e Koalicionit ‘Aleanca për Shqipërinë Europiane’, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 30 qershor 2019./m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.