FOTO/ Berat, ndërhyrje restauruese në banesën e familjes Gjika

TIRANË, 21 maj /ATSH/ – Specialistët e mirëmbajtjes së DRKK Berat kanë filluar ndërhyrjen restauruese në çatinë e banesës së familjes Gjika, në lagjen Kala.

Pas hartimit të projektit nga DRKK-Berat dhe miratimit nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka filluar faza e parë e ndërhyrjes. Kjo fazë konsiston me heqjen e kujdesshme të tjegullave për të vazhduar më pas me zbërthimin e petavrave dhe trarëve të dëmtuar.

Banesa është monument kulture dhe pjesë e trashëgimisë së pasur të ndërtimeve karakteristike të qytetit.

Banesat karakteristike të qytetit të Beratit janë një dëshmi e vyer e diversitetit urbanistik dhe arkitektonik. Këto banesa reflektojnë influencat e traditës së banesave popullore ballkanike, që datojnë kryesisht në shekujt e 18 dhe 19 të erës sonë. /a.a/j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.