Deputetët holandezë: Rikthimi i vizave i parealizueshëm, të mos demonizohen padrejtësisht shqiptarët

TIRANË, 21 maj /ATSH/ Delegacioni shqiptar i cili ndodhet në një vizitë pune në Holandë ka zhvilluar një seancë dëgjimore në Parlamentin e këtij vendi në Komisionin për Çështjet e BE. Deputetët holandezë kanë theksuar gjatë seancës se nuk duhet të demonizohen padrejtësisht shqiptarët. Ata kanë vlerësuar si pozitive reformat që po bëhen, se kërkohen nga qytetarët dhe kanë vlerësuar bashkëpunimin midis dy qeverive, si dhe bashkëpunimin kundër korrupsionit e krimit.

Deputetët holandezë u shprehën të vetëdijshëm se rezoluta për rikthimin e vizave me Shqipërinë është e parealizueshme.

Në këtë seancë ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, kryetari i grupit parlamentar të PS Taulant Balla, kryetarja e grupit parlamentar demokrat dhe kryetare e Komisionit Parlamentar të Integrimit, Rudina Hajdari si dhe ambasadorja e Shqipërisë në Holandë, Adia Sakiqi. Mediet shqiptare të pranishme në seancë raportuan se deputetët holandezë janë shprehur se rezoluta për rikthimin e vizave ishte një veprim sensibilizues për nxitjen e luftës kundër krimit.

Kjo seancë dëgjimore u vlerësua nga kryetari i Komisionit, Weldman si e hapur dhe mjaft e dobishme për vazhdimin e dialogut dhe për të informuar mbi përpjekjet reale që po bën Shqipëria për realizimin e prioriteteve kyçe të integrimit dhe meritimin e hapjes së negociatave të anëtarësimit.

Deputetët e Komisionit kërkuan vlerësimin e delegacionit shqiptar nëse është apo jo gati Shqipëria për hapjen  e negociatave.  “Po, Shqipëria është gati për çeljen e negociatave në qershor sepse i ka bërë në mënyrë shembullore detyrat e saj të shtëpisë. Me reformën në drejtësi, si kryereforma e integrimit, Shqipëria ka dhënë një shembull jo vetëm për vendet aspirante, por edhe për vendet e BE-së”, u përgjigj kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.

Ndërsa,kryetarja e Grupit Parlamentar Demokrat dhe Kryetare e Komisionit Parlamentar të Integrimit Rudina Hajdari nënvizoi se si anëtare e NATO-s prej dhjetë vjetësh, Shqipëria është një faktor stabiliteti, sigurie e paqeje në rajon e më gjerë. “Hapja e negociatave është e rëndësishme për të mos braktisur orientimin dhe destinacionin europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. Jo vetëm Qeveria, por edhe opozita parlamentare mendon se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave në qershor. Hapja e negociatave do t’i japë impulse të reja bashkëpunimit të Shqipërisë me Holandën dhe vendet e BE-së në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit”, tha ajo.

Kryetari i Grupit Parlamentar  të PS Taulant Balla nënvizoi se “ne, politikanët dhe vendim-marrësit duhet të dallojmë përceptimin mediatik nga perceptimi real  i njerëzve për kriminalitetin. “Shqiptarët që punojnë e jetojnë në Holandë janë qytetarë normalë e dinjitozë, por demonizohen padrejtësisht nga media. Kriminelët nuk kanë as ngjyrë, as atdhe. Ata duhet tí luftojmë bashkarisht dhe qeveritë dhe policitë e Shqipërisë dhe Holandës po bëjnë pikërisht këtë”, tha ai. /j.p/

 

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.