Cakaj: Bisedime me disa vende për njohjen e lejeve të drejtimit

TIRANË, 21 maj/ATSH-Maela Marini/ Lejet për drejtim automjeti të lëshuara nga autoritetet shqiptare njihet aktualisht në 6 shtete, ndërkohë që po zhvillohet procesi i njohjes së tyre edhe me Italinë dhe Greqinë.

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj bëri sot një bilanc të shteteve që njohin lejet e drejtimit të lëshuara nga autoritetet shqiptare, ndërsa informoi edhe mbi përpjekjet e mëtejshme që po bëhen për finalizimin e marrëveshjeve me shtete të tjera.

“Duke qenë të ndërgjegjshëm për vështirësitë e shtetaseve shqiptarë për njehsimin e lejeve të drejtimit nëpër botë si dhe duke e ruajtur qëllimin themelor për ndërlidhjen e objektivave madhorë të politikës së jashtme me shqetësimet e zakonshme të shqiptarëve, ju informoj mbi shtetet ku njihen lejet e drejtimit të lëshuara nga autoritetet shqiptare”, tha Cakaj.

Përveç 6 vendeve me të cilat Shqipëria ka marrëveshje për njohjen e lejeve të drejtimit, autoritetet shqiptare po zhvillojnë dy procese paralele për pranimin e lejeve të drejtimit me Italinë dhe Greqinë.

Përsa i takon Gjermanisë, Cakaj tha se “pala shqiptare ka dorëzuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm teknik pranë autoriteteve gjermane”.

Sidoqoftë, shtoi ai, marrëveshja për njohjen e lejeve të drejtimit mund të bëhet vetëm pas vlerësimit dhe miratimit paraprak të të gjithë landeve gjermane.

“Në këtë kuptim, kalimi i marrëveshjes për njohjen e lejeve të drejtimit është një proces që varet nga vlerësimet dhe procedurat e brendshme të institucioneve përkatëse në Gjermani. Pavarësisht kësaj, duke pasur parasysh se njohja e lejeve të drejtimit në Gjermani kërkon kohën e saj objektive, pala shqiptare ka paraqitur kërkesën për njohjen e gjuhës shqipe për provimin e marrjes së lejes së drejtimit gjermane. Po ashtu, kjo është një çështje që tashmë varet prej veprimeve të autoriteteve gjermane”, shtoi ai.

Po ashtu, duke pasur parasysh rëndësinë e njehsimit të lejeve të drejtimit për shtetasit shqiptarë nëpër vende të ndryshme të botës, MEPJ në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, ka përcjellë propozimet për marrëveshje të ngjashme me Bullgarinë, Francën, Bosnjë-Hercegovinën, Turqinë, Spanjën, Austrinë, Australinë, Mbretërinë e Bashkuar, Holandën, Rumaninë, Slloveninë, Poloninë, Portugalinë, Zvicrën dhe Kanadanë.

Lidhja e marrëveshjeve me këto shtete, sipas Cakajt, është një proces që kërkon kohë të konsiderueshme të negociimit teknik. “Sidoqoftë, ndarja e hershme e informacionit me ju është pjesë e përpjekjes tonë për të qenë llogaridhënës ndaj jush dhe gjithëherë të vëmendshëm ndaj zërit të shtetasve shqiptarë kudo që ndodhen në botë”, tha Cakaj.

Konkretisht marrëveshje janë nënshkruar me:

Belgjikën: Shtetasit shqiptarë në Belgjikë, për një periudhë më pak se 3 muaj, mund të përdorin lejen shqiptare për drejtim automjeti. Në rast qëndrimi më gjatë në Belgjikë se periudha në fjalë, atëherë shtetasit shqiptarë duhet të bëjnë konvertimin e lejes së drejtimit shqiptare në leje drejtimi belge, sipas procedurave që ndiqen në komunat përkatëse.

Kroacinë: Shtetasit shqiptarë në Kroaci mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2015 e tutje.

Maqedoninë e Veriut: Shtetasit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2013 e tutje.

Serbinë: Shtetasit shqiptarë në Serbi mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2015 e tutje.

Malin e Zi: Shtetasit shqiptarë në Mal të Zi mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2015 e tutje.

Kosovën: Shtetasit shqiptarë në Kosovë mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2012 e tutje. Pas përfundimit të afatit, marrëveshja është rinovuar dhe ka hyrë fuqi në maj 2019.

Nga ana tjetër, janë dy procese paralele në zhvillim e sipër për pranimin e lejeve të drejtimit me Italinë dhe Greqinë:

Italia: Pas daljes së modelit të ri të lejeve të drejtimit, marrëveshja përkatëse që ka hyrë në fuqi në vitin 2009 dhe është rinovuar në vitin 2014, i është nënshtruar ndryshimeve teknike të nevojshme. Ndryshimet teknike në marrëveshje janë pranuar parimisht prej dy qeverive dhe marrëveshja e re pritet të hyjë në fuqi pasi palët të njoftojnë njëra-tjetrën për përfundimin e procedurave të brendshme. Sipas parashikimeve të marrëveshjes, kjo çështje pritet të mbyllet përfundimisht shumë shpejt.

Greqia: Marrëveshja dypalëshe për këtë çështje është nënshkruar në maj 2018. Edhe pse pala shqiptare ka përfunduar procedurat e brendshme të nevojshme për hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje, ajo nuk është ende në fuqi ngaqë pala greke nuk e ka ratifikuar atë në Parlament. Pra, çështja në fjalë nuk varet më nga Qeveria e Shqipërisë, por nga votimi në Parlamentin grek. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.