Basha në Berat: Nuk do lejojmë zgjedhje, me çdo çmim

TIRANË, 21 maj /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi nga Berati gjatë një takimi me qytetarët se nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor, pasi sipas tij, 30 qershori është një tentativë për një grusht shteti kushtetues.

“Një pakicë e vogël e kapur duke vjedhur zgjedhjet dhe shqiptarët e cila kërkon më kot të organizojë grushtin e shtetit me 30 qershor. Zgjedhje më 30 qershor s’do ketë, grushti i shtetit do ndalet me çdo çmim”, – tha Basha.

“Pas vizitës time në Perëndim bashkë me aleatët tanë do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa, asnjë hap pas drejt diktaturës së krimit. Ne e kemi nisur këtë betejë madhështore jo për pushtet, jo për karrige, por për një ideal që frymon nga ne si demokratë, ne do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, – deklaroi Basha.

“Kurrë nuk ka qenë më i madh një bashkim popullor si ky, kurrë s’ka qenë më në panik pakica që kemi përballë, pakica e një grushti banditësh dhe horrash të cilët për 6 vite me radhë ishin padronët, zotërit në shtëpitë e shqiptarëve, kapën pushtetet, ulën në sofër krimin, shkatërruan qindra-mijëra ekonomi familjare, i larguan në kurbet, rritën taksat, 0 shërbime”, – theksoi ai.

“30 qershor s’mund të jetë ditë zgjedhjesh, por është tentativë për një grusht shteti. Populli i ka fut frikën në palcë. “Nuk i shty zgjedhjet, se nuk më lë Kushtetuta”, thotë. Dy herë i shtyu zgjedhjet në 2007-ën, ky që tani thotë s’më lejon Kushtetuta”, – replikoi Basha.

“Nuk ka pazare me Edi Ramën. Kurrë më! Për ta kthyer Shqipërinë në shërbim të qytetarëve, miqtë e mi, kjo është beteja. Kjo qartësi shpirtrash e mendjesh, për të qenë zotër në shtëpitë tona, për ta bërë të mundur këtë gjë, beteja duhet të vazhdojë”, – përfundoi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.