“Njerëz të padukshëm” sjell historinë e piktores të talentuar fierake

TIRANË, 20 maj/ATSH/ “Njerëz të padukshëm” u ndal këtë herë në qytetin e Fierit, duke sjellë historinë e një piktoreje të re të talentuar.

Vitjola Stefani edhe pse mbaroi Akademinë e Arteve në Itali zgjodhi qytetin e saj të lindjes si oazin për të ndjekur pasionin e saj.

“Me të mbaruar 5-vjeçarin e Akademisë nuk e kam menduar dy herë kthimin këtu. Ishte gjithçka që doja, kisha familjen, të dashurin, gjithçka që më mungonte. Jam shumë e lidhur me Shqipërinë dhe familjen”, thotë ajo.

Shumë mund ta shikojnë si një qytet të vogël, por Fieri, sipas Vitjolës, ka marrë zhvillime galopante.

“Është një qytet që t’i ofron të gjitha mundësitë”, shprehet ajo.

Pitkura për Vitjolën është pasioni dhe profesioni i saj, ku emocionet e ditës zgjedh t’i hedhë gjithmonë në telajo.

Përveç telajos, Vitjola ka zgjedhur edhe pikturat në porcelan, të konceptuara si dhurata “handmade”, të personalizuara.

“Një filxhan apo një pjatë e pikturuar shërben jo vetëm si mjet ku fëmija merr ushqimin, por edhe për të nxitur fëmijët të jenë sa më afër botës së artit”, thotë Vitjola, ndërsa shprehet se vajza e saj e vogël është frymëzimi kryesor për të krijuar animacione për fëmijë./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.