Opozita kërkon funeralin e Reformës në Drejtësi

TIRANË, 18 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot “PS është një shumicë që qëndron e bashkuar dhe nuk e përçan dot asgjë dhe askush”.

Në një takim me kandidatët për kryetarë bashkie në zgjedhjet e 30 qershorit, Rama tha se “që kur e kemi nisur 6 vite më parë këtë luftë me të shkuarën, e kemi mbajtur ritmin e reformave, unitetin, lodhjen. Kemi pasur hatërmbetjet tona, por kemi qëndruar bashkë, kemi ecur dhe vazhduar bashkë. Ne nuk na përçan dot asgjë dhe askush, as vetëkënaqësia dhe as pakënaqësitë. Jemi një për të gjithë dhe të gjithë për një. Debatojmë përditë, por zarare si ato të dikurshmet në qeverisjen e vendit nuk kemi asnjëherë më. Sepse kemi mësuar se prej zarareve humbasim të gjithë dhe kush bën zarare na humbet të gjithëve. Ndaj jemi një shumicë që qëndron e bashkuar”.

Sipas tij, “demokracia ka stacionet e saj periodike që nuk i shmang dot askush, zgjedhjet, aty ku kush udhëheqë gjykohet”.

“Ku është parë që të drejtën e popullit për të zgjedhur dhe të drejtën tonë për t’u zgjedhur ta marrin me dhunë disa që nuk zgjidhen dot se nuk kanë popullin me vete. Kjo është ABC e sistemit që kemi zgjedhur, por pas 30 vitesh partia që lindi për të shkruar historinë me këtë ABC ka arritur në një analfabetizëm kërcënues”, – tha Rama.

Ky analfabetizëm, sipas tij, “përhapet ngado në ekrane e studio si kuzhina e big brother. “Flasin për përgjime krejt qesharake. Përgjime që janë nxjerrë në thyerje të sekretit hetimor, nga ata që në vend që të hetojnë dosjen e Dibrës e kanë mbajtur në sirtar për një vit. Përgjime të sajuara komplet, që nuk më shqetësojnë, por më fyejnë, se nuk është gjuha ime, por e një mësuesi nate. Përgjime imagjinare që fshihen pas disa numrash që përsëriten”, – tha Rama.

Po ashtu, sipas tij, flitet për zgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme. “Sikur Prokurorja e Përgjithshme është kapur nga fyti dhe nuk u bë zgjedhja e saj me kompromisin e ndërkombëtarëve”, – tha Rama.

Mungesa e Gjykatës Kushtetuese, sipas tij, trajtohet sikur është bërë me eliminim me urdhër nga lart, edhe pse nuk ka ndërkombëtarë që nuk e di se qeveria as çelësat e kashtës nuk ka për të mbyllur apo hapur një derë në Reformën në Drejtësi”, – tha Rama.

Të gjitha këto argumentime, sipas tij, “opozita joparlamentare i bën nga frika e humbjes në 30 qershor dhe nga tmerri nga SPAK-u”.

“Por edhe po t’i marrë të mirëqena të gjitha këto si probleme që duhen adresuar, dua t’ju pyes kush do t’i adresojë? Dosja e prokurorisë duhet të zbërthehet deri në fund me përfundime të plota ligjore për të çuar në burg, por kush do ta bëjë këtë qeveria e kapsollave tranzitore? Si do ta bëjë, apo do të ndodhë që me të ikur unë do të kalojmë te funerali i Reformës në Drejtësi”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.