Rriten me 74% eksportet drejt Kosovës në muajin prill

TIRANË, 17 maj /ATSH/- Eksportet drejt Kosovës po thellojnë rritjen të nxitura nga grupi i mineraleve e lëndëve djegëse (kryesisht naftës) dhe materiale ndërtimi e metale, të cilat së bashku zunë 74% të eksporteve drejt këtij shteti për janar-prill 2019.

Sipas të dhënave të INSTAT, Kosova renditet në destinacionin e dytë të eksporteve “Made in Albania”, pas Italisë, me 9% të totalit, nga 5,8% që ishte kjo peshë në katërmujorin e parë të vitit të kaluar.

Për periudhën janar-prill eksportet shqiptare në Kosovë u rritën me 52%, krahasuar me një vit më parë, duke prekur shifrën 8.9 miliardë lekë. Ndërkohë që rritja më e madhe ishte në muajin prill, kur eksportet u rritën me 70%.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se, produktet e tjera që kanë shënuar rritje të eksporteve drejt Kosovës janë: eksportet e ushqimeve e pijeve, me një rritje prej 38%; produktet kimike dhe plastike u rritën me 60% dhe prodhimet bujqësore me me rritje 15%.

Lehtësimi i procedurave doganore dhe zhvillimi infrastrukturës në vendin tonë, i kanë dhënë nxitje zhvillimit të tregtisë me Kosovën, krahas asaj të turizmit, ku Shqipëria është konsoliduar tashmë si një destinacion i preferuar gjithëvjetor për pushuesit kosovarë. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.