Mbi 600 vende të lira pune në Panairin e Punësimit në Korçë

TIRANË, 17 maj /ATSH/ – Mbi 600 vende të lira pune, prezantohen në Panairin Rajonal të Punësimit, që është hapur sot qytetin e Korçës në sheshin Katedralja dhe që deri tani është vizituar nga më shumë se 1100 vizitorë.

Janë rreth 50 kompani nga Korça, Pogradeci, Kolonja dhe Devolli po prezantojnë në panair rreth 500 vende të lira pune, në sektorë si: hoteleri-turizëm, industri përpunuese, ndërtim, shërbime tregtare dhe bankare dhe po vazhdojnë të intervistojnë dhe grumbullojnë CV-të e kandidatëve të ndryshëm.

Ndërkohë, Zyrat e Punës gjithashtu po prezantojnë edhe 115 vende të tjera të lira pune të shpallur nga subjekte jo pjesëmarrëse në panair.

Përveç bizneseve, pjesëmarrës në panair janë dhe ofrues të arsimit dhe formimit profesional që ushtrojnë aktivitetin në Rajonin e Korçës, përfaqësues të institucioneve vendore, si dhe përfaqësues të projekteve bashkëpunuese në fushën e Arsimit, Formimit Profesional dhe Punësimit.

Zyra e Punës ftojnë të gjithë qytetarët e Korçës dhe zonave përreth të vijnë të mund të aplikojnë për punësim.

/e.xh/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.