TIRANË, 17 maj /ATSH/ – “Shqipëria mbështet misionin dhe përpjekjet e Këshillit të Europës dhe kjo mbështetje, si politike dhe financiare, duhet të vijë nga të gjitha shtetet”.
Kështu deklaroi ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, në Ministerialin e Këshillit të Europës në Helsinki të Finlandës.
Cakaj mori pjesë në pritjen për 70-vjetorin e krijimit të Organizatës së Këshillit të Europës ku merrnin pjesë ministrat e jashtëm e të gjitha vendeve anëtare në këtë organizatë.
Cakaj tha se, duhen gjetur mënyra për të forcuar Këshillin e Europës, një organizëm i cili në themel të punës ka të drejtat e njeriut, demokracinë dhe shtetin ligjor, duke e mbështetur dhe duke gjetur mënyra për të përmirësuar më tej punën e organizatës.
Pasi uroi Finlandën për punën e bërë gjatë presidencës së KiE në gjysmën e parë të këtij viti, kryediplomati shqiptar vlerësoi politikat e Këshillit të Europës në rajonin e Ballkanit.
Cakaj theksoi se kjo organizatë do të jetë edhe më e suksesshme në rajonin e Ballkanit nëse edhe Kosova behët pjesë e saj. Anëtarësimi i Kosovës në KiE do të ishte në interes si të vetë Kosovës, ashtu dhe të organizatës.
Në përfundim të Ministerialit, ministrat miratuan një Deklaratë dhe një sërë vendimesh që synojnë konsolidimin e organizatës dhe ruajtjen e karakterit gjithë-europian të saj. /gj.mima/ /a.g/
