Pakti për Universitetin/ Enida Bezhani, anëtarja e re e Bordit të Administrimit në UT

TIRANË, 15 maj /ATSH/ – Enida Bezhani, një nga anëtaret e reja të Bordit të Administrimit të Universitetit të Tiranës shprehet se “rinia është e ardhmja e këtij vendi dhe kërkon të arsimohet dhe ne do ta shikojmë këtë me shumë pozitivitet”.

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, në një video të publikuar sjell rrugëtimin e Enida Bezhanit për t’u zgjedhur anëtare e Bordit të Administrimit në Universitetin e Tiranës dhe dëshirën e saj për të dhënë kontribut në arsimin e lartë.

“Në mbledhjen e parë të bordit kemi diskutuar për buxhetin për këtë vit. Ishte një takim shumë interesant, me goxha diskutime ku kushdo u mundua të kontribuojë në mënyrën më të mirë mundshme. Vura re dy gjëra, me shumë kënaqësi dua të them se numri i studentëve që kishin përfituar bursa për vitin akademik 2018-2019 ishte dyfishuar, ndërsa numri i studentëve që përfitojnë nga ulja apo e heqja e tarifës së vetë arsimimit ishte shumëfishuar”, – nënvizon Bezhani.

Duke treguar për mënyrën si nisi ky udhëtim i ri i saj, Bezhani thekson se “jam aktualisht këshilltare e drejtorit tek “Albpetrol” më përpara kam mbajtur pozicionin e drejtoreshës ekzekutive të Dhomës Amerikane të Tregtisë si dhe kam qenë këshilltare e lartë e projektit “Trans Adriatik” për një periudhë të gjatë kohe”.

Bezhani sqaron se iu qas këtij procesi, si një proces me konkurrim të lirë.

“Ishte një proces që në fund të fundit u reklamua në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit. Disa miq ma vunë në dukje dhe mendova pse jo. Vij nga një familje më një traditë shumë të mirë akademike, në një traditë të gjatë. Ndërkohë që kam punuar në fushën e akademisë si në Shqipëri, Kanada, Amerikë, për vite të tëra dhe mendova se do të ishte një mundësi shumë e mirë për të kontribuuar”, – thekson ajo.

Bezhani shprehet se tashmë janë mbledhur si bord, ku bëjnë pjesë kolegë shumë të nderuar si të fushës akademike dhe të fushave të tjera të arsimit përtej thjesht dhënies së mësimit të përditshëm, por edhe fushave menaxheriale. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.