TIRANË, 15 maj /ATSH/ – Një delegacion nga Ambasada e Norvegjisë në Tiranë dhe Prishtinë, i kryesuar nga ambasadori Per Strand Sjaastad, vizitoi portin e Durrësit ku u pritën nga zëvendësdrejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit Portual Durrës, Sonila Toska.
Ambasadori dhe përfaqësuesit e Ambasadës u njohën me kapacitetet, zhvillimet aktuale dhe projektet që po zbatohen në hapësirën portuale.
Ambasadori Per Strand Sjaastad, duke vlerësuar mikpritjen tha se “bashkëpunimi me portin e Durrësit, ka marrë udhë edhe mes projektit “Industria detare – një sektor i ri në rritje në Shqipëri”, i cili po financohet nga Norvegjia”.
Të pranishmit u informuan sa i takon investimit për thellimin e portit, si dhe për projektet që synojnë përmirësimin e kapaciteteve të portit në të ardhmen.
Pjesëtarët e ambasadës, së bashku me ambasadorin Per Strand Sjaastad zhvilluan një vizitë edhe në Terminalin e Mallrave Gjenerale, si dhe në Terminalin e Trageteve.
Vizita në portin e Durrësit u zhvillua në kuadër të Ditës së Kushtetutës së Norvegjisë./k.s/