Balla: Zgjedhjet në 30 qershor, Basha nuk mund të vendosë kushte

TIRANË, 15 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla komentoi sot protestën e 11 majit të opozitës, të cilën e cilësoi një shprehje kuptimplotë të humbjes së besimit të vetë demokratëve tek Basha.

I ftuar në një studio televizive, Balla tha se “kjo është gjendja e rëndë ku ka degraduar opozita e cila është braktisur në mënyrë totale nga demokratët e vërtetë dhe është rrethuar me një grup militantësh vandalë, që u munduan t’i bëjnë keq Shqipërisë”.

Ai paralajmëroi Bashën se “gabohet nëse mendon se mund të pengoj ecurinë e proceseve të rëndësishme ku kalon çdo ditë vendi”, ndërsa kujtoi deklaratën e sotme të komisionerit Hahn i cili foli për një vlerësim pozitiv për Shqipërinë në fund të majit.

Balla u shpreh besimplotë se viti 2019 do të jetë viti i çeljes së negociatave për anëtarësim.

Ai i konsideroi të patolerueshme kërcënimet ndaj ambasadorit të OSBE-së, ndërkohë që nuk ka asnjë deklaratë politike apo distancim nga ky akt nga ana e opozitës.

Në një rast normal, tha Balla, PD duhet të kishte mbledhur Këshillin Kombëtar apo kryesinë dhe të dënonte kërcënimin ndaj ambasadorit të OSBE-së.

“Kjo protestë ishte shprehje dëshpëruese e degradimit të kësaj opozite”, tha Balla, duke shtuar se “njerëzit e dhunës aty nuk ishin hellexhinj, por janë njerëz të paguar për të bërë skena dhune. Balla përshëndeti vendimin e organeve të drejtësisë për të hetuar dhe tha se “pagatorët e dhunës duhen ndëshkuar me ndëshkime maksimale”.

“Ne jemi në një situatë kur pas shumë vitesh, në protestë janë rrahur gazetarë me urdhra politikë të lidershipit për të goditur gazetarë të caktuar. Në 2011 gazetari u plagos me plumb nga policia e Sali Berishës dhe nuk u godit nga protestuesit”, tha ai.

Të gjitha këto, sipas Ballës, “janë shprehje e humbjes së lidershipit të PD-së”.

Balla u shpreh krenar për reagimin e Policisë së Shtetit, ndërsa theksoi se goditja me molotov në çdo vend të botës konsiderohet akt terrorist. “Ne jemi sot në kushtet kur ish- kryeministri i këtij vendi është inspiruesi kryesor, pasi Basha është vetëm kukulla, mendja dhe lidershipi, apo komandoja e kësaj dhune ndaj institucioneve është Berisha”, tha Balla.

Balla siguroi se zgjedhjet e 30 qershorit do të zhvillohen dhe në 1 qershor fillon fushata zgjedhore.

Duke folur për dialog mes palëve, Balla tha se dialogu duhet të jetë pa kushte, pasi nuk mund të pranohet që Basha të vazhdojë të insistojë në kërkesat e tij antikushtetuese dhe fëminore sa herë që kemi zgjedhje në këtë vend, që të marrë pushtetin në tavolinë.

“Ta harrojë Basha se do t’i vendosë kushte PS-së për të ushtruar mandatin në Kuvendin e Shqipërisë. Në 30 qershor janë zgjedhjet vendore. Nëse do edhe 2- 3 ditë kohë për t’i regjistruar kandidatët, t’i regjistrojë. Të hyjë në zgjedhje, të humbi prapë dhe të fillojë të përgatitet për 2021”, tha Balla.

Duke iu referuar deklaratave për mungesën e Gjykatës Kushtetuese, Balla tha se “vendi është sot pa Gjykatë Kushtetuese sepse jemi ndër të rrallët vend në botë që na dolën të korruptuar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese”. “Më mirë 6 muaj pa Gjykatë Kushtetuese sesa me anëtarë të korruptuar”, tha Balla duke shprehur bindjen se fillimi i bisedimeve për anëtarësim në BE do ta gjejë vendin me Gjykatë Kushtetuese. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.