Statistikat, në shërbim të politikave ekonomiko-financiare

TIRANË, 14 maj /ATSH/ – Komisioni për Ekonominë dhe Financat nën drejtimin e kryetarit, Arben Ahmetaj zhvilloi sot një seancë dëgjimore mbi raportin vjetor të INSTAT për vitin 2018.

Statistikat zyrtare të prodhuara nga INSTAT janë në shërbim të institucioneve për hartimin e politikave financiare-ekonomike të qëndrueshme.

E ftuar për të prezantuar raportin e veprimtarisë vjetore të Institutit të Statistikave ,për vitin 2018, ishte Delina Brahimaj, Drejtoreshë, e Përgjithshme INSTAT, e cila ndër aktivitetet më të rëndësishme statistikore të INSTAT,  gjatë vitit 2018 në fushën e statistikave ekonomike renditi: publikimin e statistikave të produktit të brendshëm bruto, vjetor dhe tremujor, publikimin e llogarisë së prodhimit dhe gjenerimin e të ardhurave sipas sektorëve institucional, prodhimi i indeksit të çmimeve të konsumit, statistikat e tregut të punës dhe të të ardhurave.

Në fushën e statistikave sociale, prodhimi i treguesve të popullsisë, statistikat e treguesve të arsimit, shëndetësisë kurse në fushën e Bujqësisë dhe atë të Mjedisit: publikimi i treguesve të qumështit, i treguesve mbi sipërfaqet bujqësore të përdorur pyjet dhe kullotat. Gjithashtu, Brahimaj, theksoi faktin që gjatë vitit 2018 INSTAT, ka rritur numrin e publikimeve nga 137 që ishin në vitin 2017, në 159, për vitin 2018, ndër to dymbëdhjetë të reja, të cilat nuk janë publikuar më parë, publikimin e statistikave te ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, publikimin e turizmit në shifra

Mbi raportin vjetor të INSTAT, relatoi Blerina Gjylameti e cila vlerësoi në emër të Kuvendit, veprimtarinë e INSTAT gjatë vitit 2018 dhe parashtroi disa prej rekomandimeve, për vitin 2019.

Më pas komisioni vijoi me një seancë pyetje-përgjigje, në vijim të prezantimit të raportit vjetor të Komisionit të Prokurimit Publik për vitin 2018, ku e pranishme ishte dhe Evis Shurdha, kryetare e Komisionit të Prokurimit Publik.

Relatorja e këtij raporti Blerina Gjylameti në fjalën e saj, vlerësoi në emër të Kuvendit veprimtarinë e Komisionit të Prokurimit Publik për vitin 2018, ndërkohë që parashtroi disa rekomandime, për përmirësimin e punës për vitin 2019 në disa drejtime, një prej të cilave është ai i “rritjes së bashkëpunimit me Gjykatën Administrative, për sa i takon trajnimit të punonjësve me qëllim aftësimin e tyre për të trajtuar çështje komplekse të prokurimit public dhe për t’u përballur me numrin në rritje të ankimimeve në zbatim të rekomandimeve të lëna në progres raport”, etj.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve  nga anëtarët, komisioni vijoi me votimin e më pas miratimin e dy rezolutave, të INSTAT dhe Komisionit të Prokurimit Publik, të cilat pritet të kalojnë në seancë plenare. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.