Shqipëria dhe Kosova bashkëpunim në arsim dhe kulturë

TIRANË, 14 maj /ATSH/ – Shqipëria dhe Kosova kanë ndërtuar ndër vite bashkëpunim midis tyre në fushën e arsimit e të kulturës.

Kjo u theksua në vizitën që Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi me Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion në  Kuvendin e Kosovës, kryesuar nga kryetari i këtij komisioni Ismajl Kurteshi.

Në takim u diskutua për bashkëpunimin që Shqipëria dhe Kosova kanë ndërtuar ndër vite midis tyre, në fushën e arsimit e të kulturës, si dhe për mundësitë e forcimit të mëtejshëm të rolit që mund të luajnë komisionet në këtë drejtim.

Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Fatjona Dhimitri gjatë fjalës së saj u shpreh se ndihet e privilegjuar që vizitën e parë si kryetare e këtij komisioni e realizon në Kosovë.

Ajo shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit midis dy komisioneve, nëpërmjet paketave të përbashkëta në fushën e arsimit, shkencës, kulturës, sportit dhe medias, në funksion të bashkëpunimit dhe partneritetit strategjik.

Kurteshi theksoi rëndësinë e madhe për arsimin dhe kulturën shqiptare që ka bashkëpunimi në këto fusha, si edhe bashkëpunimi ndërmjet dy komisioneve homologe.

Në fund, të dy kryetarët e komisioneve shkëmbyen dhuratat përkatëse për dy komisionet homologe, në shenjë vlerësimi dhe bashkëpunimi të mëtejshëm.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.