Nuk rrëzohet qeveria me bomba molotov, por plagoset fytyra e Shqipërisë

TIRANË, 14 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “qeveria nuk rrëzohet e as nuk zëvendësohet me marshime dhe aq më pak me bomba molotov, kasolla apo fishekzjarre, që nuk janë programe apo alternativa qeverisëse, por përbëjnë një mjet për të plagosur fytyrën e Shqipërisë”.

Gjatë një konference për shtyp, Rama u ndal te situata e krijuar nga manifestimet e dhunshme të opozitës.

“I tillë ishte edhe manifestimi i djeshëm. Mua nuk më impresionon fakti që dje ra numri i bombave molotov dhe ndryshoi formula e goditjes me zjarr mbi institucionet, sepse goditjet e djeshme si mbi Drejtorinë e Policisë së Tiranës edhe mbi parlamentin, përsëri rrezikuan jetën e uniformave blu dhe krijuan disa plagë për disa prej tyre. Mbi të gjitha e djeshmja ishte një xhiro në boshllëkun e dëshpërimit të atyre që janë vetpërjashtuar nga zgjedhjet që shkaktoi jo pak shqetësim edhe krijoi jo pak ankth për banorët në gjithë trajektoren e marshimit absurd që u zhvillua gjatë ditës së djeshme”, – tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.