Gjebrea: Zgjedhjet më 30 qershor, dialogu i pazëvendësueshëm si mjet politik

TIRANË, 14 maj /ATSH/ “Askush nuk ka të drejtë të pengojë me dhunë zhvillimin e zgjedhjeve”, theksoi deputetja e Partisë Socialiste, Elona Gjebrea e ftuar në një studio televizive, duke vënë në dukje se zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor.

“Ka një paradoks në atë që kërkon opozita. Në vendet e tjera të botës, opozita proteston për zgjedhje të parakohshme, këtu protestohet për të mos pasur zgjedhje. Opozita ka mundësinë që me zgjedhjet lokale të rishikojë forcën e saj, fuqinë tek elektorati dhe të ridimensionojë pozicionin. Ka një kundërshti, pasi opozita po kalon shumë vija të kuqe që i pamë edhe në protestë”, tha ajo.

“Dialogu është mjeti më i rëndësishëm i pazëvendësueshmë mes partive politike”, theksoi ajo, duke shtuar se zgjedhjet e 30 qershorit janë përcaktuar sipas Kushtetutës nga ana e presidentit.

“Në zgjedhje shkon secili me dëshirën e tij dhe ne nuk e pengojmë PD apo LSI të marrë pjesë në zgjedhje. Mazhoranca ka qenë e hapur për dialog përmes tryezave për reformën zgjedhore. Kryeministri ka qenë i qartë për dialog. Si mund të përmirësojmë një sistem ku opozita nuk merr pjesë në tryezat e reformës zgjedhore. Ne kemi qenë të hapur për të biseduar për një sistem zgjedhor të përmirësuar. Ata vetë kanë zgjedhur formën më të shëmtuar, dhunën. Jemi dëshmitarë të imazheve të trishta për vendin. Kanë kaluar vijën e kuqe me dhunimin e medies dhe intimidimin e ambasadorit të OSBE-së”, tha Gjebrea.

“Opozita nuk ofron alternativë, asnjë program, asnjë ide të strukturuar që mendojnë të kenë mbështetjen e qytetarëve. Ata përdorin vetëm dhunë, ndaj policisë dhe institucioneve. Kaos dhe pasiguri do të ketë nëse shtyjmë zgjedhjet e krijojmë situatë anti-kushtetuese”, përfundoi Gjebra. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.