FOTO/ “Aulona Inter Folk”, Vlora zbukurohet nga ngjyrat e folklorit europian dhe shqiptar

TIRANË, 14 maj/ATSH-Klotilda Saraçini/- Ansambli “PÖRRIÄISET” nga Finlanda u shpall fitues i edicionit të 11-të të Festivalit “Aulona Inter Folk” që mblodhi për tri ditë me radhë në qytetin bregdetar të Vlorës mbi 300 artistë nga vende të ndryshme të Europës.

Ky ansambël që vjen nga qarku Nurmijarvi vetëm 35 km nga Helsinki, kryeqyteti i vendit është krijuar në vitin 1973.

Gjatë ditëve të festivali ky grup solli për publikun vlonjat dhe pjesëmarrësit e festivalit valle të vjetra finlandeze, por edhe koreografi të reja që bazohen në melodi të vjetra.

Ansambli ka një veprimtari të gjerë artistike brenda dhe jashtë vendit me një gjeografi të gjerë pjesëmarrjeje në mbi mbi 30 shtete të botës, nga Europa, Korea, Zelanda e Re e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kupa e festivalit iu dorëzua grupit nga Finlanda nga ikona e këngës shqiptare, “Mjeshtre e Madhe”, Shkurte Fejza.

Në ditën e fundit të Festivalit, që u zhvillua në skenën e Pallatit të Kulturës “Labëria” komiteti organizativ ndau edhe tre çmime simbolike ku me çmimin special të festivalit u nderua ansambli Ansambli “Crna Gora”, nga Mali i Zi, me çmimin e publikut u nderua grupi i turistëve nga SHBA dhe me çmimin e bashkisë së Vlorës u nderua grupi nga Anglia “MORRIS MEN RUTLAND“.

Drejtori i Përgjithshëm i këtij festivali, Sejmen Gjokoli, tha për ATSH-në se “pavarësisht motit të keq qyteti bregdetar i Vlorës mori ngjyra feste. Në skenën e festivalit, e cila tashmë po kthehet në traditë në kinemanë verore në Lungomare u zhvillua konkurrimi i grupeve pjesëmarrëse me një koncert të madh të të gjitha grupeve”.

“Performanca nga më të bukurat të të gjitha grupeve e ndezën Vlorën, e cila u mbush me me ngjyra e ritme të folkut europian. Gjatë ditëve të festivalit u realizua një fotografi e përbashkët e të gjithë grupeve në bustin e Ismail Qemalit në skelë duke realizuar edhe homazhe për këtë burrë të madh të pavarësisë që festivali e ka në axhendën e tij edhe nderimin e kësaj fugure.

Grupet pjesëmarrëse zhvilluan për herë të parë edhe paradën e kostumeve në bulevardin “Ismail Qemali”, ku shpalosën traditën dhe historinë e kostumeve të popujve të tyre.
Festivali u përshëndet më një mesazh edhe nga ministrja e Kuturës, Elva Margariti, e cila theksoi se “tanimë ky festival e ka shtruar udhën e vet përmes këngës, valles folklorike e kostumeve plot ngjyra. Ai mbetet një model i qartë i lidhjes së turizmit kulturor me atë natyror, që Shqipëria e ofron me bujari”-, u shpreh Margariti.

““AULONA Interfolk FESTIVAL” edhe në edicionin e 11-të, sjell vlera të reja, të freskëta e të papërsëritshme estetike, si dëshmi e qytetërimit të lashte europian të kombit shqiptar dhe kombeve të tjera pjesëmarrëse. Përmes pjesëmarrjes së shumë grupeve nga rajoni dhe bota, festivali është shndërruar në një urë për të shkuar më shpejt në zemrat e njëri-tjetrit, për të njohur dhe kuptuar që jemi të ngjashëm aq sa edhe të veçantë me kulturat dhe traditat që bart secili”, – nënvizoi Margariti.

Ministrja tha se “më vjen mirë që ky festival, përveç kënaqësisë dhe entuziazmit, përcjell njëherazi mesazhe të sinqerta miqësore, por dhe një ftesë të hapur për këdo të vizitojë Shqipërinë, të prekë e të shijojë bukuritë e këtij vendi, të zbulojë thesaret e trashëgimisë sonë komplekse kulturore”.

Festivali u përshëndet edhe nga kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i cili u shpreh se ky festival këtë vit vjen më i madh se çdo vit tjetër”.

“Janë mbi 300 pjesëmarrës të ftuar nga vende të ndryshme nga Anglia, Finlanda, Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Bullgaria”, – tha Leli.

Kreu i bashkisë së Vlorës deklaroi gjithashtu të hapur sezonin turistik të këtij viti.

Për drejtorin Gjokoli ky festival shënoi edhe një dimension të ri duke e kthyer atë një festivalk interaktiv.

Për herë të parë kjo u realizua nga grupi i turistëve të ardhur nga SHBA, të cilët duke qenë në Vlorë si turistë falë bashkëpunimit me koreografin Genc Kastrati brenda tre ditësh mësuan në mënyrë të habitshme dhe performuan një valle të bukur shqiptare me kostumet tona kombëtare dhe e gjithë performanca e tyre u përcollën me duartrokitje dhe në këmbë.

Për tu vlerësuar në këtë festival ishte edhe ndërthurja e folkut europian me iso polifoninë shqiptare përmes grupit “Kaon” të Delvinës dhe grupit “Bilbili” të Vlorës, të cilët ngjallën edhe kërshëri për spektatorët po në në mënyrë të veçantë për festivalistët e ardhur nga vende të ndryshme të Europës.

Artistët janë njëherësh edhe turistë, por edhe eksplorues të kujdesshëm të aseteve kulturore, historike e turistike shqiptare.

Pavarësisht motit të keq ata vizituan ishullin e Sazanit dhe Karaburunit duke bërë një shëtitje me anije, ku soditën bukuritë natyrore të këtij parku.

Me interes u prit edhe interpretimi i këngëtares kosovare Shkurte Fejza, e cila u shoqërua në me një performancë të jashtëzakonshme nga ansambli “Prishtina”.

Një tjetër traditë e këtij festivali është edhe botimi i gazetës “Aulona Fest Folk”, ku u pasqyruan të gjitha aktivitetet, grupet pjesëmarrëse, si dhe ndarja e çmimeve.

Në përfundim të festivalit u organizua ceremonia e mbylljes ku u ndanë diplomat e pjesëmarrjes, që janë emblema e festivalit, si dhe u shkëmbyen dhurata.

Festivali Folklorik Ndërkombëtar “Aulona Interfolk”, që është pjesë e aktiviteteve në çelje të sezonit turistik në Vlorë, vlerësohet nga specialistët si një nga aktivitetet më të spikatura në trevat shqiptare dhe më i madhi në Shqipëri në llojin e vet dhe me një gjeografi pjesëmarrjeje që shtrihet në Europë e Azi. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.