Dialog pa kushte me opozitën për të adresuar problematikat për zgjedhjet e 2021

TIRANË, 14 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ftoi sot opozitën jashtë parlamentit që “të ulet në dialog pa kushte për të adresuar të gjitha tematikat e rëndësishme dhe për të shkuar në zgjedhjet e ardhshme politike të 2021 me një qartësi dhe siguri më shumë”.

I pyetur se çfarë është i gatshëm t’i ofrojë Bashës për të treguar se është i prirur për zgjidhjen e krizës dhe jo për çimentimin e saj, Rama tha se “dialog pa kushte do të thotë të ulemi dhe të flasim për çfarë gjërash mund të bëjmë së bashku dhe jo që të ndjehet mirë njëra palë që ka dhimbje koke”.

“Të adresohen ato çështje për të cilat jemi zgjedhur ne dhe ata në këtë pozicion. T’i  marrim problematikat me radhë. Nëse duan për sundimin e ligjit, ulemi se ku dhe çfarë mund të adresojmë më shumë se me reformën në drejtësi; për krijimin e institucioneve shikojmë nëse ka gjëra që duhen adresuar edhe nga kjo eksperiencë e krijuar tashmë”, – tha Rama.

Po ashtu, ai tha se “është i hapur për të adresuar së bashku çdo shqetësim që mund të kenë për zgjedhjet, për shitblerjen e votës ku edhe pse kemi marrë të gjitha masat ligjore mund të marrim të tjera dhe të gjejmë mekanizma të tjerë, etj.”.

“Për këtë bëhet dialogu, nuk ka kushte në dialog që ne të negociojmë datën e zgjedhjeve se nuk e kemi në dorë. Jam gati t’i dëgjoj, por nuk e kemi në dorë. Nga ana jonë nuk ka asnjë mundësi që të shkojmë përtej 30 qershorit”, – tha Rama.

Kryeministri kujtoi se “opozita jashtë parlamentit thotë se nuk kërkon karrige”.

“Aq më mirë që nuk duan karrige dhe nuk duan pushtet, le t’i vihen në dispozicion Shqipërisë dhe të punojmë bashkarisht. Ne marrim përsipër që të gjitha nismat ligjore që dakordësojmë, ne i votojmë edhe për ta se i kemi numrat në parlament. Pjesa tjetër do të ketë qëndrimet e veta nuk diskutohet, sepse është një pjesë tjetër që bën opozitën në parlament dhe është shumë e respektuar për mua, kështu që ta shfrytëzojmë këtë kohë deri në zgjedhjet e ardhshme politike për të adresuar të gjitha tematikat e rëndësishme dhe për të shkuar në zgjedhjet e ardhshme politike të 2021 me një qartësi dhe siguri më shumë për ata, se ne jemi të sigurt”, – tha Rama. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.