Rritja e kreditimit, domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të vendit

Ceremonia e 20-vjetorit të Shoqatës Shqiptare të Bankave  

TIRANË, 13 maj /ATSH/- Sistemi bankar në Shqipëri jep një kontribut të çmuar në rritjen ekonomike të vendit, nxitjen e punësimit dhe zgjerimin e konsumit.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e pranishme në Konferencën e 3-të Kombëtare të Shoqatës Shqiptare të Bankave, që u zhvillua mbrëmjen e së hënës në Tiranë u shpreh se, “bankat janë një mjet i rëndësishëm i nxitjes së kursimeve të shqiptarëve, por edhe rritjes së ekonomisë së vendit nëpërmjet kreditimit”.

Ministrja vuri theksin në domosdoshmërinë e kthimit të kreditimit të nivelin e pritshëm, pasi “fuqizimi i kreditimit është një domosdoshmëri jo vetëm për zhvillimin ekonomik e të qëndrueshëm të vendit, por është edhe një aktivitet bazë i rëndësishëm për vetë bankat”.

Denaj tha se sot sistemi bankar në Shqipëri është i mirëkapitalizuar, duke qëndruar 6% mbi nivelin e minimumit që kërkon rregullorja. Ndërkohë që vitin e kaluar ka rritje të aseteve në masën 1,9% duke arritur 1,453 bilionë lekë si edhe rezultate pozitive financiare në disa drejtime.

“Me 447 degë në të gjithë vendin, shërbimi është jo vetëm universal, por edhe me një cilësi më të rritur nëpërmjet shërbimeve elektronike me 5 banka që ofrojnë shërbime online. Sfidat në sistemin bankar shqiptar, ashtu si edhe në të gjithë botën, vazhdojnë. Nga njëra anë është presioni i uljes së normave të interesit dhe nga ana tjetër nevoja për të përshtatur modelet e tyre të qëndrueshme të biznesit me nevojat e tregut aktual”, – tha Denaj.

Sipas saj, roli i Bankës Qendrore në monitorim dhe supervizim në mënyrë të vazhdueshme ka dhënë zgjidhje problematikave afatshkurtra.

“Krijimi i Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, fuqizimi i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, aderimi i shoqatës së bankave në organizma ndërkombëtare, asistenca e vazhdueshme e Bankës së Shqipërisë nga Banka Botërore dhe organizma të tjerë ndërkombëtare ku ajo aderon, na bën shpresëplotë se sistemi bankar shqiptar vazhdon të jetë i kujdesshëm dhe i qëndrueshëm”, – theksoi Denaj.

/e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.