Lushnjë, rikonstruktohet rruga nga ish-fabrika e Plasmasit deri në Karbunarë

TIRANË, 13 maj/ATSH/- Në rrugën nga ish-fabrika e plasmasit deri në Karbunarë në Lushnjë, me gjatësi 1,6 kilometra, po punohet me ritme të larta për rikonstruksionin e saj.

Investimi po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të programit “Rehabilitimi i Segmenteve Rrugore Prioritare” që financohet nga qeveria shqiptare.

Projekti parashikon 2 korsi për automjetet me nga 4 metra, vepra arti në të dyja anët për mbledhjen dhe kullimin e ujërave, si dhe trotuare në dy anët në pjesët ku rruga përshkon zona të banuara.

Investimi bëhet i rëndësishëm edhe për faktin që kemi të bëjmë me një zonë që ka perspektivë rritjeje dhe zhvillimi si në aspektin urbanistik, ashtu edhe në atë ekonomik. Segmenti rrugor kalon nëpër një zonë ku banon dhe zhvillon aktivitet social-ekonomik një popullsi e konsiderueshme.

Ky segment rrugor i është nënshtruar ndërhyrjeve të pjesshme gjatë viteve, por që janë dëmtuar për shkak të mungesës së veprave të artit dhe ndërhyrjeve të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, si dhe ndërhyrjeve nga operatorë të telefonisë pas sistemimit të saj.

Rehabilitimi i infrastrukturës rrugore dhe ndërhyrjet e parashikuara për ndërtimin e kanalizimeve funksionale, të cilat deri tani kanë munguar tërësisht parashikohet të kenë një impakt pozitiv edhe në mjedis./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.