FOTO/ Qyteti i Krujës ‘vishet’ me ngjyrat europiane

TIRANË, 13 maj /ATSH/ – Në kuadër të javës Europiane, Njësia e Integrimit në bashkinë Krujë organizoi një sërë aktivitetesh gjatë këtyre ditëve të titulluara “Rinia, Kultura dhe Historia” pasaporta e Shqipërisë në BE.

Këto aktivitete ishin të konceptuar si një fushatë sensibilizuese, ku sheshi “Skënderbej” ishte i “veshur” me simbolet e flamurit të BE, ku 100 të rinjtë ekselentë nisën ecjen nga Monumenti i Heroit Kombëtar deri në Kalanë e Krujës. Kjo vinte në pah rëndësinë e historisë europiane, ku brenda saj është një nga figurat historike si Gjergj Kastrioti.

Gjithashtu aktivitete u zhvilluan dhe në hyrje të Pazarit të Vjetër, ku u improvizua Këndi i BE, në të cilën 100 të rinjtë diskutuan për mundësitë e tyre për t’u përfshirë në projektet që financon BE, aspiratën e Shqipërisë në familjen europiane dhe perspektivat e tyre rinore.

Gjatë këtij aktiviteti e ftuar ishte Jolanda Trebicka, drejtuese e projektit “Bashkitë në Europë”, e cila diskutoi me të rinjtë mbi rëndësinë që ata duhet të kenë në vendimmarrjen publike, mbi thirrjet e shumta që BE ka dhe i ftoi të gjithë që të vizitojnë Këndin e BE pranë bashkisë Krujë për tu informuar dhe për të aplikuar në këto projekte.

“Vitin që shkoi, BE ishte përqendruar në trashëgiminë kulturore, ndërsa këtë vit vëmendja është tek fuqia e të rinjve”, shtoi Trebicka, teksa fliste për mundësinë më të fundit për të aplikuar për projekte që në thelb kanë inovacionin.

Bekim Murati, Drejtor i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, në përgjigje të pyetjeve nga të rinjtë, theksoi se qeverisja vendore tashmë është e gatshme për t’iu përgjigjur sfidave të reja që kërkon BE. Pyetjeve mbi situatën aktuale politike, Murati theksoi se e gjithë vëmendja është tek të rinjtë, si dëshmia europiane e Shqipërisë.

Në fund të këtyre aktiviteteve, mozaiku i vlerave europiane u plotësua me Ansamblin Kombëtar të Shtetit, ku për 30 minuta performoi në ballkonin e Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, duke përcjellë më së miri mesazhin se “Rinia, Kultura dhe Historia” janë pasaporta e Shqipërisë në BE. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.