FOTO/ Mozaiku në Bazilikën e Madhe, i hapur për vizitorët në sezonin turistik

TIRANË, 13 maj/ATSH/- Fragmenti i mozaikut që ndodhet në transeptin e Bazilikës së Madhe në parkun kombëtar të Butrintit, në Sarandë, do të jetë i hapur për vizitorët gjatë gjithë sezonit turistik 2019.

Specialistët e Parkut Kombëtar të Butrinit, nën mbikëqyrjen e specialistëve të Sektorit të Veprave të Artit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, realizuan hapjen e fragmentit të mozaikut që ndodhet në transeptin e Bazilikës së Madhe.

Pas largimit me kujdes të dy shtresave të rërës, të cilat mbulonin mozaikun, u konstatua se gjendja e tij paraqitej e mirë.

Më pas u realizua pastrimi me kujdes i sipërfaqes. Gjendja e tij do të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe pastrimi i tij do të bëhet në mënyrë periodike.

Procesi i hapjes së mozaikut tërhoqi menjëherë vëmendjen e vizitorëve, ndërkohë që Bazilika e Madhe në Butrint është një ndër monumentet më të rëndësishme arkitekturore dhe pjesë e itinerarit kryesor turistik.

Parku Kombëtar i Butrintit me rrënoja mahnitëse greke, romake, osmane, i ndodhur në pjesën jugperëndimore të vendit, është një nga destinacionet kryesore të vizitorëve vendas, por edhe turistëve të huaj. Ky park ofron numër të konsiderueshëm vendesh arkeologjike dhe konsiderohet si një “mikrobotë e historisë shqiptare”. /k.s/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.