Fleckenstein-Kukan: Dhuna nuk është instrument i ligjshëm

TIRANE, 13 maj/ATSH/- Eurodeputetët Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan  kanë reaguar lidhur me protestat e opozitës duke theksuar se “me shqetësim të madh kemi parë imazhet e dhunës në Tiranë të shtunën e kaluar, më 11 maj. E drejta për të protestuar është thelbësore në çdo shoqëri demokratike, por kjo kurrë nuk e bën dhunën një instrument te ligjshëm”.

Në deklaratë e tyre, eurudeputetët theksojnë se “duam thjesht t’ju kujtojmë se vetëm institucionet dhe proceset demokratike, dialogu parlamentar, procedurat ligjore, zgjedhjet e lira dhe të drejta – janë rruga e vetme përmes te cilës shoqëria shqiptare mund të zgjidhe sfidat serioze që përjeton”.

Në vijim deklarata e plotë:       

Të dashur miq në Shqipëri,

Ne, si anëtarë të Parlamentit Europian kemi mbështetur prej vitesh procesin e integrimit te Shqipërisë në BE dhe përparimin e vendit në reformat përkatëse. Ne jemi miq të Shqipërisë dhe jemi të bindur qe Shqipëria është një vlere te shtuar për Bashkimin Europian. Kjo është arsyeja pse ne do të vazhdojmë mbështetjen për integrimin e Shqipërisë në BE edhe në të ardhmen.

Por me shqetësim të madh kemi parë imazhet e dhunës në Tiranë të shtunën e kaluar, më 11 maj. E drejta për të protestuar është thelbësore në çdo shoqëri demokratike. Megjithatë kjo kurrë nuk e bën dhunën një instrument te ligjshëm.

Ne, deputetët e Parlamentit Europian, anëtare te familjeve të ndryshme politike europiane, u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestat e lajmëruara për ditët e ardhshme në Tiranë, të përmbahen nga të gjitha format e dhunës dhe të qëndrojnë larg nga ngjarje të dhunshme. Ne gjithashtu u bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të tregojnë përgjegjësi dhe vetëkontroll.

Si deputetë të Parlamentit Europian, ne nuk synojmë ndërhyrjen në ngjarjet në vend. Duam thjesht t’ju kujtojmë se vetëm institucionet dhe proceset demokratike, dialogu parlamentar, procedurat ligjore, zgjedhjet e lira dhe të drejta – janë rruga e vetme përmes te cilës shoqëria shqiptare mund të zgjidhe sfidat serioze që përjeton.

Detyra jonë si deputetë të Parlamentit Europian është të inkurajojmë përparimin e bërë nga Shqipëria dhe të mbështesim vendin në rrugën e tij drejt integrimit europian. Për ketë arsye, e ndjejmë te nevojshme për t’ju drejtuar juve, qytetarëve shqiptarë. Njëkohësisht vazhdojmë t’i kërkojmë liderëve politikë të mos rrezikojnë perspektivën e vendit në rrugën e tij europiane. Prandaj, kemi besim tek ju, qytetarët shqiptare dhe nga shoqëria civile për të çuar përpara qëllimin tone të përbashkëta.

Pamjet e se shtunës se kaluar mund të japin përshtypjen e gabuar se Shqipëria nuk është gati për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian në qershor të këtij viti. Qytetarë të Shqipërisë: Si miq të Shqipërisë dhe përkrahës të integrimit te saj në BE, ju bëjmë thirrje t’i dërgoni botës një mesazh të qartë se Shqipëria është në gjendje t’i zgjidhë konfliktet e saj në mënyrë paqësore dhe demokratike.

Juaji sinqerisht,

Knut Fleckenstein, eurodeputet i Aleancës së Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian, raportuesi i PE-së për Shqipërinë.

Eduard Kukan, eurodeputet i Partisë Popullore Europiane në Parlamentin Europian, kryetari i grupit të punues së Komitetit të Punës së Jashtme të PE-së për Ballkanin Perëndimor.

/a.g/ /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.