Basha: Të vendosur deri në fund për betejën tonë

TIRANË, 13 maj/ATSH-Maela Marini/ “Jemi edhe më të vendosur për të sakrifikuar gjithçka për demokracinë dhe lirinë”, deklaroi sot në mbyllje të marshimit-protestë të opozitës së bashkuar, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Nga selia e PD-së, Basha shprehu mirënjohje për të gjithë ata që iu bashkuan qytetarisë nga të gjitha anët e vendit.

Sot, tha ai, “ne treguam se nuk ka forcë mbi tokë që të na ndalë në kauzën tonë për zgjedhje të lira e të ndershme”.

“Nuk ka forcë të na detyrojë të ulemi dhe të bëjmë pazare e kompromis me të keqen. E keqja duhet të ikë, për t’i hapur vend Shqipërisë si gjithë Europa. Ndaj në një kohë kaq të shkurtër me një njoftim prej 24-orësh dhe me mbi 3 orë kur nuk ka pushuar shiu asnjë sekondë, në përfundim të kësaj proteste-marshim, ne jemi edhe më të vendosur për të sakrifikuar gjithçka për demokracinë dhe lirinë”, – tha Basha.

Duke shprehur vendosmërinë absolute me të cilën do të vazhdohet kjo betejë, Basha tha se “jemi të vendosur deri në fund për betejën tonë pa kthim për liri e demokraci dhe Shqipërinë si gjithë Europa”.

“Ndaj le të vazhdojmë rrugën që kemi nisur. Misioni ynë është mision brezash për të gjithë që sot e kanë kuptuar se vetëm përmes bashkimit, pjesëmarrjes e vendosmërisë mund dhe do ta gjejnë të ardhmen, lirinë dhe dinjitetin e tyre”, – tha Basha. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.