Protesta e opozitës, bomba Molotov e kapsolla në drejtim të institucioneve

TIRANË, 12 maj/ATSH/- Protesta e opozitës e thirrur pasditen e së shtunës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, është shoqëruar me akte dhune. Që në nisje të protestës rreth orës 18 e 30 minuta, militantët e PD dhe aleatëve të saj hodhën bomba Molotov, fishekzjarre kapsolla dhe bojë në drejtim të godinës së Kryeministrisë.

Teksa kreu i PD-së Lulzim Basha po fliste para protestuesve, militantët e PD dhe LSI i kanë vënë zjarrin institucionit të Kryeministrisë duke hedhur bomba Molotov dhe hoqën kangjellat rrethuese të perimetrit të sigurisë.

Policia i është drejtuar me thirrje të drejtpërdrejtë, kryetarit të Partisë Demokratike dhe sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazmend Bardhi, të bëjnë hap pas nga dhuna. “Z. Lulzim Basha dhe Gazmend Bardhi: Merrni masa të largoni nga protesta personat e dhunshëm që sulmojnë policinë me bomba Molotov, kapsolla e sende të forta: Merrni masa të largoni nga protesta personat e maskuar”, bëri thirrje policia.

Simpatizantët e opozitës kanë hedhur bomba Molotov edhe ndaj godinës së kryesisë së Kuvendit, ku flakët janë përhapur me shpejtësi në një pjesë të godinës, por janë shuar nga efektivët e policisë.

Gjatë gjithë protestës para Kryeministrisë, u hodhën vazhdimisht shishe të mbushura me lëndë shpërthyese, ky dera kryesore e godinës së qeverisë shpërtheu në flakë.

Nga aktet e dhunës gjatë protestës, 13 efektivë të policisë mbetën të plagosur. Më pas protesta u zhvendos para Parlamentit ku edhe aty nuk munguan aktet e dhunës. Protestuesi hodhën bomba Molotov, fishekzjarrë e kapsolla në drejtim të efektivëve të policisë si dhe ndaj godinës së Parlamentit. Policia ndërhyri duke hedhur gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre.

Më akte dhune u shoqërua protesta e opozitës edhe para Drejtorisë së Policisë së Tiranës. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.