VIDEO/ Mesazhi i major Klodian Tanushit në 10-vjetorin e anëtarësimit në NATO

TIRANË, 11 maj/ATSH/- Ministrja e Mbrojtjes ka publikuar videon mesazhin e fundit të major Klodian Tanushit, i cili ndërroi jetë të premten në mbrëmje në Letoni, pasi nuk mund t’i mbijetonte plagëve të marra nga shpërthimi i municioneve.

Major Tanushi gjatë karrierës së tij, ka mbajtur detyra të rëndësishme dhe gjatë misionit të tij në Letoni kishte edhe zyrën e tij në ambientet e së cilës përveç flamurit të NATO-s mbante edhe flamurin shqiptar.

Në 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO,  ai ka përcjellë edhe një urim duke përmendur edhe detyrat e kontigjentit ku ai bënte pjesë.

“Kontigjenti i katërt, me mision në kuadër të aleancës së atlantikut të veriut në Letoni është i përbërë  nga 21 ushtarakë të cilët kryejnë detyra të ndryshme në shtabin e brigadës letoneze, në shtabin e grup batalionit. Misioni është të mbështesë të gjithë elementët EOD, ku kryhen detyra të ndryshme si asgjësimi logjistik i municioneve, asgjësimi i municioneve të rënda konvencionale, asgjësimi i pajisjeve të rënda të improvizuara, pastrimin e zonëve të infektuara, si dhe njohja e municioneve të NATO-s . Urime Shqipëri 10-vjetorin në NATO”, shprehet Tanushi në videomesazhin e tij të fundit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.