KINË – Negociatat do të vijojnë për zgjidhjen e tri pikave të mosmarrëveshjes tregtare

PEKIN, 11 maj /ATSH-AFP/ – Tri pika mosmarrëveshje nuk arritën zgjidhjen mes Kinës dhe SHBA-së në mbyllje të bisedimeve tregtare në Uashington. Pavarësisht të gjithave, dy shtetet do të vijojnë negociatat.

I pyetur nga mediet kineze në përfundim të negociatave dyditore në SHBA, përfaqësuesi i Kinës, Liu He bëri të ditur se kanë mbetur edhe tri pika mosmarrëveshje ende të pazgjidhura mes dy fuqive.

Negociatori kinez dhe amerikan përmbyllën dje në Uashington një raund të ri bisedimesh për arritjen e një marrëveshjeje, ndërsa dy shtetet janë përfshirë prej vitit të kaluar në një konflikt për tarifat doganore për eksportet e tyre.

‘’Nëse arrijmë një marrëveshje, tarifat doganore ndëshkuese do të hiqen’’, njoftoi Liu, i cilësuar si një person shumë i afërt i presidentit kinez, Xi Jinping. / /v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.